RTSH 24 Live

Politikë

Alibeaj, projekt- rezolutë për dënimin e krimeve serbe në Kosovë

27/05/2022

Alibeaj, projekt- rezolutë për dënimin e krimeve serbe në Kosovë

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projekt- rezolutë për dënimin e masakrës dhe gjenocitit të bërë nga forcat serbe në Kosovë. Projekt- rezoluta është paraqitur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj. Zoti Alibeaj e ka dërguar sot në Kuvend projekt- rezolutën.

Rezoluta bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve; sikundër dhe në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, dt. 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”.

Projekt- rezoluta i referohet rreth 100 masakrave kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, kryesisht shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihehn djegien e gjallë në prani të të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 Shkurti deri në 1 Mars 1998 pati 24 viktima civile.

Dokumenti i Alibeajt i referohet krimeve nga forcat serbe mbi përjetimin e trajtimeve çnjerëzore nëpër burgjet e Serbisë dhe gjetjes së varrezave masive anembanë shtetit me kufoma civilësh shqiptarë të masakruar, të varrosur dhe zhvarrosur me qëllim humbjen e gjurmëve të krimit.

Projekt- rezoluta i referohet edhe dhunës seksuale ndaj 20 mijë personave, kryesisht gra e vajza shqiptare, të cilat kanë përjetuar vuajtje të mëdha, trauma të rënda dhe plagë psikologjike.

/rtsh.al/