RTSH 24 Live

Europë

Akuzohet se përdori paratë publike në fushatë, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz jep dorëheqjen 

09/10/2021

Akuzohet se përdori paratë publike në fushatë, kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz jep dorëheqjen 

Kancelari austriak, Sebastian Kurz ka dhënë dorëheqjen."Vendi im është më i rëndësishëm për mua, sesa unë. Ajo që nevojitet tani është stabiliteti. E mora këtë vendim për të zgjidhur ngërçin", tha Kurz, 35-vjeçar, në një konferencë për shtyp nga zyra e tij në Vjenë. 
Pasardhësi i tij do të jetë ministri aktual i Jashtëm, Alexander Schallenberg. Kurz mësohet se do të vijojë të qëndrojë kryetar i Partisë Popullore të Austrisë, OVP. 
Kurz u vu në qendër të akuzave ditët e fundit lidhur me përdorimin e parave publike gjatë fushatës zgjedhore në funksion të forcës së tij politike, e cila arriti të fitonte një tjetër mandat. 
BILD njofton se kancelari i ri, Schallenberg është njeri i besuar i Kurz. 
Kurz dhe Schallenberg kanë punuar bashkë te Ministria e Jashtme, ku më pas u bë vetë shef i diplomacisë në qeverinë kalimtare pas çështjes Ibiza.
Mbetet për t'u parë se si të gjelbrit do të reagojnë ndaj zgjedhjes së partisë konservatore, të cilët kishin kërkuar që Kurz të mos qëndronte më Kancelar i Austrisë.
Si udhëheqës i Partisë Popullore të Austrisë dhe drejtues i grupit parlamentar, megjithatë, sipas BILD, Kurz do të vazhdojë të ketë ndikim vendimtar në qeveri.
Dy ditë më parë, prokurorët në Austri kontrolluan zyrat e Sebastian Kurz, ato të këshilltarëve të tij më të afërt dhe selinë e Partisë Konservatore në Vjenë, mes dyshimeve se kreu i ekzekutivit ka përdorur fonde qeveritare për të siguruar nja mbulim të favorshëm mediatik. 
“Sebastian Kurz dhe nëntë të dyshuar të tjerë, si dhe tre organizata, janë subjekt i një hetimi për vepra të ndryshme korrupsioni në lidhje me këtë çështje”, ishte deklarata e Prokurorisë së Austrisë.
Sipas akuzave, Kurz dhe Partia e tij OVP i kanë dhënë ryshfet pronarit të gazetës Österreich, Wolfgang Fellner që të publikonte sondazhe favorizuese për kancelarin.
Prokurorët dyshojnë se anketimi është paguar me para të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet po ashtu nga OVP.
Përfaqësuesit e Fellner thanë se hetimi mbështetej “në disa keqkuptime shumë të rënda”.
Gjatë ditëve të fundit, konservatorët austriakë kishin spekuluar vazhdimisht për bastisje të mundshme të zyrave të tyre, duke i denoncuar paraprakisht si përpjekje për të dëmtuar partinë dhe kancelarin.