RTSH 24 Live

Kosova

Akuzat ndaj Trumpit i dorëzohen Senatit më 25 janar

22/01/2021

Akuzat ndaj Trumpit i dorëzohen Senatit më 25 janar

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, planifikon që t'ia dërgojë Senatit akuzat kundër ish-presidentit, Donald Trump më 25 janar,  njofton REL.

Demokratët në Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se procesi i shkarkimit ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për rolin e tij në trazirat vdekjeprurëse ndaj Kongresit, është gati të fillojë javën e ardhshme në Senat.

Republikanët kanë kërkuar më shumë kohë për t'u përgatitur.

Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar e akuzoi Trumpin për nxitje të një trazire vdekjeprurëse në Kongresin e SHBA-së, duke hapur rrugën për një gjyq në Senat. Nëse dënohet, mund t’i ndalohet kandidimi sërish për postin e presidentit.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, tha të premten se Dhoma e Përfaqësuesve do të dorëzojë akuzat të hënën.

Nëse demokratët, të cilët morën kontrollin e Senatit këtë javë, nuk ndryshojnë rregullat, kjo do të thotë se gjyqi ndaj Trumpit do të fillojë të martën.

"Senati do të zhvillojë një gjyq ndaj Donald Trumpit. Do të jetë një gjyq i drejtë," tha udhëheqësi i shumicës së Senatit.

Trump akuzohet për nxitje të kryengritjes, pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Trump ka shkuar në Florida, pasi mandati i tij ka përfunduar të mërkurën.