RTSH 24 Live

Politikë

Akuzat ndaj Olta Xhaçkës, Rama: Sulm personal, ndodh në gjithë vijën bregdetare, kam kërkuar heqjen e qeverisë në këtë mes

01/07/2022

Akuzat ndaj Olta Xhaçkës, Rama: Sulm personal, ndodh në gjithë vijën bregdetare, kam kërkuar heqjen e qeverisë në këtë mes

Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një konferencë me gazetarët pas punimeve në Samitin e NATO-s të mbajtur në Madrid.  Rama i është përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të deputetes dhe Ministres Olta Xhaçka. Kryeministri tha se nuk ekziston  asnjë problem në furtunën e ngritur në gotë.

Vesi del me shpirtin dhe këta që merren me këto punë nuk do ndryshojnë kurrë. Kurrë për fat të keq. Ne jemi shumë mirëpritës dhe mikëpritës për çdo shenjë ndryshimi nga ana e tyre por këta mesa duket nuk do ndryshojnë. Tërheqja zvarrë e kujtdo që u del përpara për të bërë linçime është një praktike që nuk do ndryshojë. Zgjedhja jonë është e thjeshtë dhe rruga jonë është e përcaktuar: ose do bëjmë punët duke qenë të vetëdijshëm që nuk jemi perfekt, kemi edhe ne të metat tona, ose do merremi me këta. E kam të qartë që çdo minutë e humbur për tu marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë fortunë në gotë. Megjithatë le ta gjykojnë institucionet”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se është i lumtur që ka investitorë strategjikë dhe se në rastin në fjalë theksoi se ka ndodhur ajo që ndodh në gjithë vijën bregdetare shqiptare.

"Jam shumë i lumtur që sa më shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri, por nuk hyj te ata që të huajt i shohin si kategori e parë. Kjo e të afërmve me qeverinë është këngë e vjetër. Këtë e di. Në një vend si i yni ku të gjithë dalin të afërm me njëri-tjetrin. Dëgjoj lloj-lloj broçkullash, lloj-lloj afërsish të imagjinuara dhe për më tepër do doja të kishte më shumë investitor strategjik shqiptarë.

Një pjesë e rëndësishme e tyre nuk shkojnë deri në fund pikërisht sepse proceset janë shumë strikte. Në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë ka me mijëra subjekte të cilat marrin në shfrytëzim një pjesë plazh, si rezultat i disponimit të një prone private.

Dhe një nga ato mijëra subjekte është dhe subjekti në fjalë. Çfarë duhet të bëj në këtë rast? Të thuhej se meqë subjekti në fjalë është një subjekt i përbërë nga disa komponentë dhe kanë një pronë private dhe ndryshe nga mijëra të tjerë nuk shfrytëzojnë plazhin përballë pronës private? Kjo duhej thënë? Ka ndodhur ajo që ndodh në gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë. Kam kërkuar heqjen e qeverisë në këtë mes, që të mos kemi më llafe të fukarallëkut mendor që prodhin maskarallëk", theksoi Rama.

Më tej kreu i qeverisë u shpreh se pjesëmarrja e tij në Samitin e NATO-s ishte mjaft i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverisë ka deklaruar se ka kërkuar po ashtu edhe përfshirjen e Kosovës në mekanizmin e partneritetit për paqe.

“Kosova, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, ka mbajtur një qëndrim të qartë duke treguar maturi të rëndësishme si shtet në raport me detyrimet ndaj gjithë kësaj familje të madhe që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj", tha Rama.

/rtsh.al/