RTSH 24 Live

Politikë

Akuzat ndaj Kurtit për marrëveshjen e targave, Rama: U soll si kryeministër, mbylli shtegun e zhvillimeve të paparashikueshme

24/11/2022

Akuzat ndaj Kurtit për marrëveshjen e targave, Rama: U soll si kryeministër, mbylli shtegun e zhvillimeve të paparashikueshme

Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti pas sulmeve të opozitës për arritjen e marrëveshjes së targave në Bruksel. Rama thotë se Kurti u soll si Kryeministër dhe mbylli shtegun e zhvillimeve të paparashikueshme.

 “S’jam aspak dakord me sulmet ndaj Albin Kurtit pas marrëveshjes së duhur që fatmirësisht mbylli shtegun e rihapur të zhvillimeve të paparashikueshme! Ta sulmosh Albinin pse u soll si kryeministër është njësoj si t’i kërkosh hesap pse nuk mendon e flet njësoj si kur ishte në burg!” shkruan Rama në twitter.

Një ditë më parë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë kanë rënë dakord për targat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës. Si pasojë e kësaj marrëveshje pati pakënaqësi të shumta, ku sot Kurti u sulmua me qershi nga PSD, para ndërtesës së Qeverisë.

/rtsh.al/