Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Gjirokastër, në kuadër të masave të marra për festat e fund vitit, ka nisur inspektime të rregullta ne subjektet me risk te cilat do të vijojnë gjatë gjithë muajit dhjetor. Sipas të dhënave, më shumë se 160 subjekte do të inspektohen dhe monitorohen në të gjithë qarkun, për të siguruar standardet e sigurisë ushqimore.
“Gjatë muajit dhjetor e kemi përqendruar të gjithë inspektimin tek subjektet të cilat kanë risk. Subjektet me risk kemi thertoret, dyqanet e mishit, gjithë aktivitetet prodhuese të ëmbëlsirave që duke qenë muaj feste shtohet prodhimi i tyre”, u shpreh Vasil Qurku, Përgjegjës i sektorit të kontrollit të ushqimit dhe ushqimit për kafshët.
Për të garantuar një sezon festiv të sigurt, autoritetet kanë apeluar për bashkëpunim nga ana e bizneseve dhe qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të kushteve të sigurisë ushqimore.
“Qytetari duhet të heq dorë nga tregu i rrugës sepse janë produkte të cilat janë pa një etiketë, pa një origjinë, pa gjërmueshmëri dhe nuk garanton sigurinë ushqimore te konsumatori”, u shpreh Qurku.
Inspektimet do të përfshijnë gjithashtu kontrolle për të parandaluar çdo abuzim dhe për të siguruar cilësinë dhe freskinë e produkteve që shiten gjatë festave.
/RTSH/