RTSH 24 Live

Aktualitet

Aksioni në Call Center/ Mashtronin shtetas të huaj me bursa fiktive, arrestohen 6 persona, në kërkim administratori

24/11/2022

Aksioni në Call Center/ Mashtronin shtetas të huaj me bursa fiktive, arrestohen 6 persona, në kërkim administratori

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 6 persona pasi akuzohen se mashtronin shtetas të huaj nëpërmjet telefonit për të investuar në bursa fiktive. Blutë e kryeqytetit sqarojnë se janë arrestuar administratori i call center-it dhe 5 operatorë, është shpallur në kërkim administratori tjetër i subjektit si dhe është proceduar penalisht një tjetër punonjëse. Nga aksioni i ushtruar në call center, policia ka sekuestruar 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të shtetasve të huaj që mashtroheshin për të investuar në bursën fiktive Forex.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: – E. N., 25 vjeç, banues në Tiranë, administratori subjektit call center; – K. Gj., 25 vjeç, Sh. F., 26 vjeç, A. Sh., 20 vjeç, K. K., 20 vjeç dhe H. S., 26 vjeç, të pestë banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim administratori tjetër i këtij subjekti, shtetasi P. A., 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja D. K., 26 vjeçe. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. N. dhe shtetasi P. A. administronin një subjekt privat call center, në rrugën “Faik Konica”. Në këtë subjekt ishin të punësuar si operatorë shtetasit K. Gj., Sh. F., A. Sh., K. K., H. S. dhe D. K., të cilët, së bashku me 2 administratorët, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive. Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit P. A. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton policia.

/rtsh.al/