RTSH 24 Live

Kosova

Aksidenti tragjik me 10 të vdekur, ministri i Brendshëm drejt Kroacisë, reagojnë Osmani dhe Kurti

25/07/2021

Aksidenti tragjik me 10 të vdekur, ministri i Brendshëm drejt Kroacisë, reagojnë Osmani dhe Kurti

Krerët më të lartë të shtetit në Kosovë kanë reaguar në lidhje me aksidentin tragjik ku kanë humbur jetën 10 shtetas nga Kosova dhe në mes tyre ka 45 të plagosur ku tetë prej tyre janë të lënduar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi duke thënë se lajmi për aksidentin tragjik në Kroaci të autobusit kosovar e si pasojë e të cilit kanë humbur jetën dhjetë persona, është i rëndë për vendin.

Osmani përmes një reagimi në Facebook ka thënë se shteti i Kosovës duhet të jetë në krah të familjarëve të qytetarëve të cilët kanë humbur jetën e po ashtu edhe në krah të të lënduarve.

“Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë. Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë kosovarë e shumë të tjerë janë lënduar. Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë! Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të qytetarëve tanë që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se veprimet shtetërore të Kosovës do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre.

“Zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik”, ka shkruar presidentja Osmani.

Edhe kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i tronditur nga ky lajm i trishtë i së dielës. "Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda", shkruan Kurti në Facebook.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se bashkëndjenë me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan sot në Kroaci, derisa po vinin në Kosovë.

“Në mëngjesin e sotëm ka ndodhur një aksident i rëndë në autostradën Slavonski Brod në Kroaci! Autobusi ishte i linjës Frankfurt-Prishtinë, i mbushur me bashkatdhetarë. Duke u lutur që të ketë sa më pak viktima, bashkëndjejmë të pikëlluar me familjarët e bashkatdhetarëve që u aksidentuan në këtë ngjarje të trishtë”, ka shkruar Konjufca në reagimin e tij në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i tronditur nga aksidenti tragjik i autobusit kosovar në Kroaci, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën të paktën 10 persona.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se bashkëndjenë me familjarët e viktimave.

“I tronditur nga ngjarja e sotme tragjike në Kroaci, pas aksidentit që pësoi autobusi që po vinte nga Gjermania në Kosovë. Bashkëndjej me familjarët e dhjetë udhëtarëve që humbën jetën dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të lënduarve. Falënderoj organet e shtetit kroat, e në veçanti kryeministrin z. Andrej Plenkovic për interesimin dhe kujdesin e tij. RH”, ka shkruar Haradinaj.