RTSH 24 Live

Aktualitet

Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin "Fan S. Noli" në Korçë

10/03/2025

Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin "Fan S. Noli" në Korçë

Prej dy ditësh, ekspertët e vlerësimit të jashtëm vizituan universitetin “Fan S. Noli” në Korçë, ku zhvilluan vizita në mjediset e Rektoratit, të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe Fakultetit të Ekonomisë, në kuadër të akreditimit të disa prej programeve të studimit.

Gjatë kësaj vizite, ekspertët zhvilluan takime të veçanta me pedagogë, studentë dhe punonjës të stafit ndihmësakademik.

"Sot dhe dje kemi qenë për 10 programe studimit, 4 prej të cilave në Fakultetin e Edukimit dhe 6 në Fakultetin Ekonomi. Vizitat kanë shkuar shumë mirë. Ekspertët kanë mbetur të kënaqur nga procesi që është zhvilluar deri tani, gjithashtu edhe nga materialet, dokumentacionet dhe informacionet që kemi marrë në kuadër të këtij procesi akreditimi. Procesi i akreditimit është një proces periodik. Aktualisht Universiteti i Korçës ka 23 programe studimi të akredituara dhe është në proces për 17 programe të tjera," thotë Dr. Xhiliola Bixheku, drejtore e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Ekspertët gjatë takimeve morën informacion dhe të dhëna, të cilat do të përfshihen në vlerësimin përfundimtar të programeve të studimit në proces akreditimi.

"Në përfundim të gjithë procesit, Universiteti do të njihet me gjetjet dhe janë treguar gjithmonë të gatshëm për përmirësime, qoftë për sa i përket kurrikulës, programit të studimit, kur ka pasur nevojë për përditësim, apo edhe infrastrukturës së Universitetit, laboratorëve dhe klasave," shton znj. Bixheku.

Aktualisht Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë është drejt finalizimit të akreditimit të gjithë programeve të studimit që ai ofron.

Ky proces është një vlerë e shtuar jo vetëm për këtë institucion të arsimit të lartë, por edhe për diplomën që marrin studentët.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/