RTSH 24 Live

Aktualitet

Akademia e Shkencave përkujton veprimtarinë e shqiptarëve dhe hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore

27/01/2022

Akademia e Shkencave përkujton veprimtarinë e shqiptarëve dhe hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore

Akademia e Shkencave në ditën e Kujtesës zhvilloi sot veprimtarinë për shqiptarët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kryetari Skënder Gjinushi, theksoi se me  ligjin "Për Ditën e Kujtesës", Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka kthyer në një kauzë të vetën ndriçimin e historisë së bashkëjetesës dymijëvjeçare të shqiptarëve e hebrenjve.

“Ishte një arritje cilësore që gjatë vitit të kaluar Ministria e Arsimit e Izraelit miratoi librin e profesorit dhe librin e studentit kushtuar historisë së hebrenjve gjatë Holokaustit, duke pasur si model të narrativës historike fatin e tyre në Shqipëri”, tha Gjinushi. 

Prej më shumë se dy dekadash, Akademia e Shkencave, përmes studimeve dhe botimeve ka ndriçuar historinë e bashkëjetesës dymijëvjeçare të shqiptarëve e hebrenjve.

"Do të dëshironim që atë shpirt humanist që populli shqiptar ka shprehur jo vetëm ndaj hebrenjve, por ndaj tjetrit në përgjithësi kur ka qenë i rrezikuar ose në moment dobësie, ta shprehte edhe gjithë veprimtaria tjetër e përfaqësuesve të tij, duke përfshirë atë politike. Nga humanizmi i shprehur ndaj çdo bashkësie në rrezik, nga toleranca ndërfetare dhe vlera të tjera të qytetarisë shqiptare, ka kohë e vend për të mësuar të gjithë, por në mënyrë të veçantë ata që provokojnë frymë konflikti dhe mosdurimi", tha akademik Gjinushi.