RTSH 24 Live

Botë

Airbnb bllokon rezervimet në Uashington javën e inaugurimit të Bidenit

13/01/2021

Airbnb bllokon rezervimet në Uashington javën e inaugurimit të Bidenit

Kompania për dhënie me qira të apartamenteve, Airbnb, ka njoftuar se do të bllokojë dhe pezullojë të gjitha rezervimet në zonën e Uashingtonit, gjatë javës së inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden. 

“Ky vendim është marrë pas informatave të siguruara nga komuniteti nikoqir, si dhe zyrtarët lokalë, shtetërorë dhe ata federalë”, ka thënë Airbnb përmes një deklarate.

Kjo kompani gjigante ka thënë edhe se ua ka ndaluar disa individëve rezervimet pasi ka gjetur se kanë lidhje me grupet që nxisin urrejtje, apo edhe me ato që janë përfshirë në sulmin ndaj Kongresit javën e kaluar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për raportimet lidhur me milici të armatosura dhe grupe që nxisin urrejtje, që kanë tentuar të udhëtojnë dhe të pengojnë inaugurimin”, ka thënë Airbnb.

Megjithatë, kjo kompani nuk ka treguar nëse vendimi për të bllokuar rezervimet ka qenë rezultat i ndonjë kërkese të agjencive për zbatim të ligjit.