RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Ahmeti: Fituam edhe në këtë proces të rëndësishëm të vetëqeverisjes lokale

18/10/2021

Ahmeti: Fituam edhe në këtë proces të rëndësishëm të vetëqeverisjes lokale

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në konferencën për shtyp të partisë, pas zgjedhjeve lokale, shprehu kënaqësinë nga rezultatet e arritura duke theksuar se që në raundin e parë BDI kishte fituar në tri komuna, në Saraj, Likovë dhe Pllasnicë.

Sipas tij, në raundin e dytë me epërsi të madhe BDI shkon në dhjetëra komuna, përkatësisht Tetovë, Çair, Kërçovë, Strugë, Zhelinë, Tearcë, Bogovinë, Haraçinë dhe Dollnen.

Gjithashtu në raund të dytë kandidatët e BDI-së shkojnë në komunat Dibër, Çashkë, Gostivar dhe Vrapçisht.

”Dëshiroj të shpreh kënaqësinë për procesin e plotë zgjedhor ku u dëshmua kultura demokratike, pasi zgjedhjet janë reflektim i një shteti, ku procesi kaloi më së miri. Dëshiroj t’i përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në garë. I përshëndes anëtarët e BDI-së për këtë fitore, ku dëshmuan edhe një sukses me këtë rast duke e rritur volumin e votave për partinë e tyre”, deklaroi Ahmeti.

”Si gjithnjë, kemi qenë fitues edhe në këtë proces të rëndësishëm të vetëqeverisjes lokale”, theksoi ai./ATSH