“Agrobiodiversiteti në krahinën e Gorës” është studimi që është prezantuar sot në ambientet e Bashkisë Maliq, për të vënë në pah varietetet lokale të bimëve të kësaj zone, njëkohësisht edhe dokumentimin e njohurive tradicionale etnobanike të zonës së Gorës.
Robert Damo, një nga autorët e këtij studimi, thekson se zona e Gorës është një pasuri kombëtare sa i përket varieteteve të bimëve.
“Zona e Gorës është një krahinë shumë e pasur me resurse gjenetike ose me resurse të agrobiodiversitetit. Është një zonë pak e studiuar dhe nuk e prisnim që të gjenim gjithë atë material sidomos të pemëve frutore. Mund të them pa frikë që është zona më e pasur në Shqipëri për sa i përket resurseve gjenetike”, tha pedagogu Damo.
Edhe për agronomin e Bashkisë Maliq, ky studim është mjaft i vlefshëm për të gjithë banorët e Bashkisë Maliq, që ata të kenë mundësinë të mos humbasin kulturat bimore që gjenden në zonën e Gorës.
“Këto materiale janë studiuar, janë hedhur në letër, në libra dhe do mbeten, por e rëndësishme është baza”, tha agronomi Arben Dulellari.
Ky studim u realizua nga universiteti “Fan Noli” Korçë dhe ka si redaktorë shkencorë profesorët Robert Damo, Pirro Icka dhe Avni Spaholli.
/rtsh.al/