RTSH 24 Live

Kosovë

Adelina Emini, studiuesja e parë nga Kosova në Universitetin Shtetëror të Floridës

29/03/2023

Adelina Emini, studiuesja e parë nga Kosova në Universitetin Shtetëror të Floridës
Foto: Adelina Emini

Adelina Emini ishte e ftuar në emisionin “Në radio” të gazetarit Andri Xhahu që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1. Emini, e cila njihet nga publiku i gjerë si këngëtare, është menaxhere e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Radio Televizionin e Kosovës, bashkëthemeluese e Forumit për Lidership dhe Diplomaci si dhe lektore.

Këngëtarja e njohur ka mbrojtur temën e disertacionit të doktoratës "Faktorët përcaktues të aplikimit të marketingut digjital në bizneset e Kosovës". Fazën e fundit të doktoraturës, Emini e zhvilloi në Universitetin Shtetëror të Floridës, nën udhëheqjen e mentores Dr. Ruby Lee. Është ëndërr e çdo të riu të studiojë në Florida State University, një nga 20 universitetet më të mira në SHBA. Kam patur fatin të kem mentoren e jashtëzakonshme Ruby Lee, pothuajse prej 30-vjetësh ligjëruese në këtë universitet.”

Foto: Adelina Emini

Së fundi, faqja zyrtare e universitetit ka shkruar për Adelina Emini, si studiuesja e parë nga Kosova në Universitetin Shtetëror të Floridës. Emini tregon se pasi kërkuan në sistem, rezultoi që në këtë universitet nuk ka patur asnjë student shqiptar, fakt që e ka befasuar pasi siç shprehet “çdokund mund të gjesh një shqiptar”.

Duke u kthyer në fillimet e kësaj përvoje, artistja nga Kosova tregon që pranimi në këtë universitet ishte një lajm që e përmbushi. “Është një numër shumë i limituar i kandidatëve që pranohen për doktoraturë. Askush nuk e di punën dhe mundin që ka nga pas. Nuk e kam patur të lehtë të depërtoj në një universitet të tillë. Rreth një vit e gjysmë pune të pandërprerë, ka qenë një angazhim shumë i madh.”

Emini thotë se ndihet e privilegjuar që ka mundur edhe të mbajë leksione në shumë klasa ku të gjithë ishin të huaj. Të ligjërojë në gjuhë dhe kulturë tjetër, ka qenë sfiduese për të. “Gjithashtu jam bërë pjesë e disa fondacioneve atje. Në qendrën “Center for Global Engagement” kam prezantuar një temë shumë interesante për fuqizimin e rolit të gruas shqiptare, me të gjitha sfidat që ka.”

Falë përpjekjeve të saj, është marrë një përgjigje pozitive për një marrëveshje bashkëpunimi mes Universitetit të Floridës, Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës për një shkëmbim programesh dhe përvojash. “Viti 2024 do të jetë vit i shpresës për këtë program.” – shprehet Emini.

E pyetur se sa njihet Kosova dhe Shqipëria nga studentët dhe pedagogët atje, Adelina tregon se shumë pak prej tyre e dinin se ku ndodhen këto vende në hartë. “Por ata filluan të mësojnë shumë shpejt gjatë atyre muajve që unë isha atje. Nisën të hulumtonin për kulkturën, historinë dhe natyrën tonë.”

Ajo çfarë u bënte përshtypje ishte natyra e hapur dhe shumë komunikuese e Adelinës. “Kur mentorja më thoshte se çfarë u bën njerëzve që të duan, i përgjigjesha që ne shqiptarët kemi gjakun e ëmbël dhe zemrën  e madhe.”

Shpesh i drejtohej pyetja se si mundet t’i menaxhojë të gjitha, të këndojë, të punojë, të studiojë dhe të ligjërojë. “U shpjegoja që për të bërë një jetë të mirë duhet të bësh disa punë. Ne si shqiptarë punojnë shumë fort.”    

/rtsh.al/