RTSH 24 Live

Kosova

Abuzimi seksual i 11-vjeçares nga 5 të rinj në Kosovë, me qindra qytetarë protestojnë në Prishtinë

31/08/2022

Abuzimi seksual i 11-vjeçares nga 5 të rinj në Kosovë, me qindra qytetarë protestojnë në Prishtinë

Dhunimi seksual i 11-vjeçares në Kosovë nga 5 të rinj ka shkaktuar zemërim të lartë te qytetarët, të cilët kanë dalë në rrugët e Prishtinës për të protestuar kundër kësaj ngjarje të rëndë.

Me parullën “Mbrojtje për vajzat dhe gratë” me qindra qytetarë kanë mbushur rrugët e Prishtinës me pankarta në duar ku kërkojnë mbrojtjen e fëmijëve, grave e vajzave nga abuzime të tilla.

“Jo do të thotë Jo, “Edhe qeni im e kupton kur them jo”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”,  “Nuk po ndihem e sigurt” janë disa nga pankartat që qytetarët kanë mbajtur në duar. Protestuesit thanë se dhuna e abuzimi nuk duhet të tolerohen dhe se luftimi i këtyre dukurive të rënda është përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe institucionale. 

Qytetarët marshuan nga sheshi Zahir Pajaziti drejt ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, ku ndaj ndërtesave të  këtyre institucioneve u hodh dhe bojë e kuqe.

Mes protestuesve ka pasur edhe shumë figura të rëndësishme të artit dhe politikës, si Dafina Zeqiri dhe ish presidentja Atifete Jahjaga.

Protesta erdhi si reagim qytetar ndaj ngjarjes së rëndë ndodhur më 27 gusht, ku një 11-vjeçare u përdhunua nga 5 të rinj, të cilët janë arrestuar.

Një protestë e tillë për ngjarjen do të zhvillohet edhe në Tiranë në orën 18:30 në sheshin “Nënë Tereza”.

/rtsh.al/