RTSH 24 Live

Kronika

Abuzim me shpejtësinë, në gjendje të dehur, arrestohen 14 drejtues mjetesh në 24 orët e fundit

21/09/2021

Abuzim me shpejtësinë, në gjendje të dehur, arrestohen 14 drejtues mjetesh në 24 orët e fundit

Policia e Shtetit arrestoi gjatë 24 orëve të fundit 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Po ashtu, nga shërbimet e Policisë Rrugore u pezulluan 42 leje drejtimi, nga të cilat 24 për shpejtësi mbi normat e lejuara, deri në 178 km/orë në autostradën Levan-Vlorë, 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 2 për qarkullim në sens të kundërt.

Policia ndëshkoi me masë administrative në të gjithë vendin 1311 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Gjithashtu është evidentuar nga Policia e Kukësit dhe më pas është shoqëruar në Polici, shtetasi B. M., nga Hasi, i cili kishte publikuar në rrjetet sociale, foto me automjetin e tij të ndaluar në brendësi të tunelit të Kalimashit, duke rrezikuar përfshirjen në ngjarje rrugore. Ky shtetas është ndëshkuar nga Njësia Për Sigurinë e Autostradës Milot Morinë, me masë administrative 8.000 lekë të rinj.

Policia e Shtetit apelon të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve që mos të  shpejtojnë, mos të kryejnë parakalime të gabuara dhe të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

“Mos abuzoni me rregullat e qarkullimit rrugor dhe më pas i publikoni në rrjetet sociale, pasi do përballeni me sanksionet që parashikon Kodi Rrugor. Në të gjitha akset nacionale nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, nga Korça në Berat, si dhe në qendrat kryesore urbane, ka patrulla të Policisë Rrugore me radarë, alkooltestues, dronë, kamera e aparate fotografike”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional.