RTSH 24 Live

Sociale

A duhen trajtuar kafshët kështu?

27/02/2021

A duhen trajtuar kafshët kështu?


Janë lënë pa ngrënë derisa kanë ngordhur nga uria. Me njerëzit tek ne kjo gjë nuk ka ndodhur, me kafshët ndodh, edhe pse kemi një biologji me ta. Edhe ata kanë uri, kanë ftohtë, mund të sëmuren si ne. 
Në Pogradec, ato pak kafshë, 37 qënie që bashkia i kishte strehuar në malet e Zagorcanit, në fshatin Gurras, duke punësuar për t'i kujdesuar një banor aty, Faik Kishtën, sipas këtij të fundit, janë lënë pa ushqim dhe 7 prej tyre kanë ngordhur. Vetë ky, tashmë i pushuar nga puna, i ka varrosur nën dëborë dhe i zbulon për kafshëdashësit e ardhur nga Tirana, Elbasani, Durrësi.
Dhe teksa nisesh drejt një zone tjetër malore në hyrje të Pogradecit, aty ku u zhvendosën qentë e tjerë që mbetën gjallë tek një punonjës i ri, pasi i pari, Faiku u akuzua se i linte ai pa ngrënë duke keqpërdorur ushqimin që merrte nga thertoret me të cilat bashkia kishte kontratë, duke ua dhënë kafshëve të tij e jo qenve, kap gafil keqtrajtimin që iu bëhet sërish qenve të bashkisë edhe në të ashtyquajturën strehën e dytë, sepse në fakt ndonjë strehë të ndërtuar nuk ka. 
Teksa ngjit malin qentë i gjen aty të dridhen nga i ftohti, në një vend pa diell, mes dëborës, të lidhur me zinxhirë dhe ma sa duket sërish të pangrënë mjaftueshëm, teksa i turren si të babëzitur ushqimit që kanë sjellë animalistët. 
Është bashkia që nuk dërgon ushqim apo janë punonjësit që abuzojnë? Se që qentë lihen të dobët e uritur kjo nuk ka pikë dyshimi. Jo vetëm punonjësi i parë, por dhe punonjësi i dytë kanë edhe vetë kafshë personale, gjë që përbën edhe konflikt interesi. 
Ndërkohë, Bashkia e Pogradecit, duke pranuar edhe neglizhencën e saj, në datën 19 shkurt ka bërë një denoncim për të gjetur të vërtetën se si ngordhën kafshët, duke ia vënë fajin ish-punonjësit të saj. Një denoncim pak më parë e kanë bërë dhe ambientalistët ndaj bashkisë duke e akuzuar atë si përgjegjëse. Edhe pse rastet se si mbyllen proceset gjyqësore pa asnjë dënim kur bëhet fjalë për kafshët janë të përhershme tek ne. Por të paktën bashkia shprehet se do të ngrërë së shpejti një strehë bashkëkohore për ta. E tani për tani një kapanon.