RTSH 24 Live

Aktualitet

900 mijë vaksinime me dozën e parë, masat e plota anti Covid që do të jenë fuqi dhe për këtë vjeshtë

22/10/2021

900 mijë vaksinime me dozën e parë, masat e plota anti Covid që do të jenë fuqi dhe për këtë vjeshtë

Komiteti Teknik i Ekspertëve gjatë një mbledhje të sotme vendosi që të miratojë rekomandimin e bërë nga Komiteti i Vaksinimit ku është parë e nevojshme doza e tretë e vaksinës, anti-covid. Rekomandimi i dytë i miratuar është për uljen e fashës së grup moshës për vaksinimin +16 vjeç dhe po ashtu vaksinimin +12 vjeç por vetëm për ata fëmijë të cilët kanë problematika shëndetësore.

Drejtoresha e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, teksa bëri një pasqyrë të situatës së vaksinimit në vend tha se deri më tani janë kryer 1.8 milionë vaksinime, nga të cilat 900 mijë vaksinime me doza të para. Ajo theksoi se ka një mbulim jo të kënaqshëm të vaksinimit te të rinjtë, duke i bërë atyre thirrje që të mos hezitojnë të vaksinohen.

Teksa bëri me dije se bashkia Gjirokastër ka mbluesën më të mirë vaksinale në vend, shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino, i bëri thirrje të rinjve të vaksinohen.

“Nga pikëpamja e grupmoshave vërejmë në javët e fundit një rritje të grupmoshës nga 18 deri në 25 vjeç dhe 25 deri në 30 vjeç, pavarësisht se mbulesa në këtë grupmoshë mbetet e ulët dhe ne bëjmë apel studentëve dhe të gjithë të rinjve që të vaksinohen, për arsye se vaksina është e sigurt për ta. Koronavirusi dëmton, jo vaksina. Vaksina krijon imunitet. Vaksina parandalon në një farë mënyre edhe transmetueshmërinë, duke qenë së ngarkesa virale është më e ulët tek personat e vaksinuar. Pra ata transmetojnë virus për një kohë më të shkurtër. Të gjitha këto e bëjnë vaksinën të domosdoshme. Bashkitë të cilat kanë një mbulesë të lartë vaksinale është bashkia Gjirokastër që është 78 % me një dozë dhe 71% me dy doza. Pra bashkia e Gjirokastrës po arrin të gjitha nivelet europiane, bashkia e Tepelenës, e Pukës dhe disa bashki të tjera në veri dhe në jug të vendit”, theksoi Bino.

Duke folur për situatën epidemilogjike në vend, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik prof. Albana Fico tha:
“Në Shqipëria incidenca dy javore është 222 për 100 mijë banorë, pra raste të reja të infektuara për 100 mijë banorë. Ka një rritje të rasteve aktive totale në këtë periudhe 6444 nga 6397 që i përkon shifrës 226 për 100 mijë banorë. Numri i bashkive të prekura është rritur dhe ka shkuar në 48. Mesatarja ditore e rasteve të shtruara në harkun një javor është 157 ndërsa në atë dy javore është 156. Mesatarja dy javore e rasteve të rënda të shtruara në spitalet Covid është 20. Raporti i numrit të fataliteteve me rastet e infektuara është 1.6 %”, tha Fico.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve u bë me dije se janë kryer në total 1,860,335 doza të vaksinës ndaj COVID19. Dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 991,371 qytetarë, ndërsa janë 868,964 qytetarë të vaksinuar me dy doza.

Masat  anti-COVID në fuqi:
-    Ora policore nga 23:00-06:00.
-    Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
1.    Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë. 
2.    Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve. 
3.    Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit. 
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri. 
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. 

-  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. 

- Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik. 

- Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave

- Vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore