Në kuadër të një konferencë jubilare kushtuar ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, vlerësoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftën për pavarësinë e Kosovës.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Rugova "mbolli në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari idenë e Kosovës së pavarur" dhe krijoi një ëndërr që, sipas tij, nuk mbeti thjesht një iluzion, por u bë realitet.
Ai e quajti Rugovën një lider me një vizion dhe vendosmëri të jashtëzakonshme, i cili "filloi zbatimin e projektit të tij" duke ngritur një shtet paralel me shtetin pushtues.
“Ai mbolli në zemrën dhe mendjen e çdo shqiptari idenë e Kosovës së pavarur. Krijoi një ëndërr të cilën nuk e la ëndërr. Me një vizion dhe vendosmëri radikale ai filloi zbatimin e projektit të tij, ndërtimin e shtetit paralel të shqiptarëve në Kosovë, përballë shtetit të pushtuesit. Ngriti shumicën e institucioneve, parlamentin, presidentin, qeverinë, për kushtet vështirë se mund të ketë pasur ndonjë tjetër shtetin paralel që ndërtoi Ibrahim Rugova. Ai krijoi një pushtet paralel real. Me kostot e tij, një qeveri në mërgim, por aktive, një qeveri që realizoi një përfaqësim ndërkombëtar në kohë reale. Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij, ishte edhe politikan edhe misionar. Ata që nuk e njohën Rugovën si të tillë, gabuan shumë. Ishte vështirë ta ndaje se cili Rugovë predominonte, ai misionar apo politikani”, tha Berisha.
Dr. Ibrahim Rugova është një figurë të pazëvendësueshme në historinë e Kosovës. Ishte njeriu që bëri epokë, lideri i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë me veprën e tij madhore gjithmonë të ndezur dritën e së ardhmes për Kosovën shtet euroatlantik.
/rtsh.al/