RTSH 24 Live

Aktualitet

8 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, kallëzohen penalisht nga KLSH në SPAK

26/01/2022

8 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, kallëzohen penalisht nga KLSH në SPAK

Tetë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kallëzohen penalisht në SPAK, nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Lajmi është bërë publik nga ana e vetë KLSH. Gjatë ushtrimit të auditimit financiar, si dhe i përputhshmërisë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, KLSH ka konstatuar shkelje të kryera nga ana e 8 funksionarëve të MSHMS, institucioneve në varësi të saj, si dhe dy punonjës të ATRAKO, lidhur me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjes”, si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.

Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 8 punonjës, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.