RTSH 24 Live

Aktualitet

75-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë, ambasadorja Pang Chunxue: Kapitull miqësie!

13 orë para

75-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Kinë, ambasadorja Pang Chunxue: Kapitull miqësie!

Ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. 

Me këtë rast dhe në Javën Kulturore Kineze që po mbahet në Tiranë, ambasada e këtij vendi dha një pritje ku morën pjesë të ftuar nga fusha të ndryshme, politikanë, anëtarë të Trupit Diplomatik dhe dashamirës të kulturës kineze.

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Pang Chunxue, në fjalën e saj në pritjen në festimin e 75-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë u shpreh se gjatë shekullit të kaluar, të dy vendet shkruan së bashku një kapitull miqësie, i cili mund të përshkruhet më së miri nga një poezi kineze: “Sado larg nga miqtë që jemi, porsi komshi të mirë i kemi”.

Ambasadorja tha para të pranishmëve se gjatë 75 viteve të fundit, Kina ka bërë arritje të jashtëzakonshme ekonomike.

“Vendi është zhvilluar nga një vend i varfër dhe i prapambetur në ekonominë e dytë më të madhe në botë, si dhe në vendin numër 1 në botë për sa i përket tregtisë së mallrave dhe prodhimit. Në vitin 2023, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës arriti në 126 trilion juanë (rreth 16 trilion euro), një rritje prej 223 herë krahasuar me atë të vitit 1949, me një normë mesatare vjetore rritjeje prej 7.9%”, u shpreh ajo.

Të ftuarit në pritjen zyrtare shijuan edhe disa performance nga artistë kinezë, ndërsa Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Javës së Kulturës Kineze çeli më herët një ekspozitë të autorëve kinezë më të spikatur të përkthyer në shqip. Po ashtu, publiku pati kënaqësinë të dëgjonte melodi të veçanta nga trashëgimia mijëravjeçare kineze, të interpretuara me mjeshtëri nga artistët në koncertin “Sound of China” në Katedralen Ortodokse në Tiranë.

/ rtsh.al /