RTSH 24 Live

Kulturë

70-vjetori i lindjes, shkrimtari disident Visar Zhiti, nderohet në Bibliotekën Kombëtare: Letërsia më shpëtoi jetën

02/12/2022

70-vjetori i lindjes, shkrimtari disident Visar Zhiti, nderohet në Bibliotekën Kombëtare: Letërsia më shpëtoi jetën

I mbijetoi humbjes së lirisë, pas 10 vitesh në burgjet komuniste për një poezi, i mbijetoi humbjes së rinisë. Ishte në lule të rinisë, 27 vjeç kur e arrestuan dhe burgosën, i mbijetoi edhe humbjes së fëmijës, birit të vetëm që ishte 19 vjeç kur u nda nga jeta në një aksident automobilistik, 9 vite më parë.

Ia ka dalë që mos dorëzohet, por të mbërrijë e të festojë 70-vjetorin e lindjes. Feston, sepse asnjë rrethanë e jetës nuk ia hoqi buzëqeshjen, sepse siç thotë Begnini, të cilin ai e njeh mirë, “la vita e bella”, jeta është e bukur, dhe ashtu ka qenë për të pas çdo goditjeje, teksa ringrihej përsëri.

Sot Biblioteka Kombëtare, QKLL dhe shtëpia botuese Onufri i kanë festuar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare përvjetorin Visar Zhitit, shkrimtarit disident, me një ekspozitë të të gjithë krijimtarisë së tij nga poezia e parë, me titullin “Prapë” e vitit 1969, përkthimet që ka bërë, botimet në gjuhë të huaja, e deri te botimi më i ri, romani ‘Këpuca e aktorit” nga shtëpia botuese ‘Onufri”.

/rtsh/