RTSH 24 Live

Kosova

5 ambasadorë në zyrë Kurtit për targat, kryeministri nuk tërhiqet

21/09/2021

5 ambasadorë në zyrë Kurtit për targat, kryeministri nuk tërhiqet

Ambasadorët e SHBA, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë kanë zhvilluar një takim me Kryeministrit Albin Kurti për situatën e krijuar nga vendimi i qeverisë së tij për të zbatuar reciprocitetin e targave me Serbinë.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti nuk ka hequr dorë nga reciprociteti për tabelat e automjeteve, duke ua bërë me dije ambasadorëve se ky vendim mundëson trajtimin e barabartë të shteteve.

Sipas Kurtit, ose të dyja shtetet duhet t’i përdorin tabelat e përkohshme, ose asnjëra, që sipas tij bën që të dy shtetet të kenë të drejtë, ose asnjëra prej tyre. Në njoftim thuhet se vendimi për reciprocitet nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se prania e forcave speciale të Policisë, janë në veri të Kosovës për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

Njoftimi thotë se Albin Kurti ka rënë dakord me pesë ambasadorët për nevojën e shmangies së tensioneve të mëtejshme, ndërsa Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk është Prishtina ajo që po nxit tensionet.