RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

45 të vdekur pas aksidentit të një autobusi me targa maqedonase

23/11/2021

45 të vdekur pas aksidentit të një autobusi me targa maqedonase

Të paktën 46persona humbën jetën në një aksident rrugor, në jug të kryeqytetit Sofje, njoftoi agjencia zyrtare bullgare e lajmeve BTA, që citon Ministrinë e Brendshme.

Aksidenti ka ndodhur gjatë natës në autostradën ”Struma”, rreth 40 kilometra në jug të Sofjes.

Mes viktimave ka edhe disa fëmijë.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Bojko Rashkov u tha gazetarëve se tre autobusë po udhëtonin së bashku dhe ai që u përplas ishte i fundit.

”Pasagjerët mund të kenë lëvizur nga autobusi në autobus”, tha ai.

Sipas tij, zjarri mund të jetë shkaktuar nga fërkimi mes autobusit dhe barrierave mbrojtëse, por detajet do të zbardhen në vijim të hetimeve.

Kreu i Shërbimit Kombëtar të Hetimit (NIS) Borislav Sarafov tha se në autobus ishin gjithsej 52 pasagjerë, duke përfshirë 12 fëmijë.

Sipas informacioneve fillestare në autobus nuk ka pasur shtetas bullgarë. Mes viktimave është edhe shoferi i autobusit.

Një reporter nga BTA pa se autobusi ishte djegur plotësisht.

Autobusi duket se fillimisht është përplasur me barrierën mbrojtëse në krahun e djathtë, më pas ka vazhduar dhe është përplasur me parmakun që ndan autostradën, ku edhe ka ndaluar.

Kryeministri i përkohshëm Stefan Janev, i cili ishte në vendin e incidentit, tha se ka biseduar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Yanev u kërkoi mediave të ruajnë një ekuilibër midis interesit publik dhe tragjedisë së madhe për familjet e viktimave. Ai shprehu ngushëllimet për miqtë dhe familjet e viktimave.

”Presidenti Rumen Radev i shprehu ngushëllimet presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski për aksidentin tragjik të autobusit”, njoftoi sekretariati për shtyp i Radev.

Në emër të tij dhe në emër të popullit bullgar, Radev shpreh ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet dhe miqtë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që humbën jetën në aksident, si dhe shpreson për shërim të shpejtë të të plagosurve.

Radev u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të përcaktojnë shkaqet që kanë çuar në aksidentin e rëndë rrugor.