RTSH 24 Live

Politikë

31 vite nga vizita e Baker, Këlliçi: Sot liria funksionon vetëm për Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij

22/06/2022

31 vite nga vizita e Baker, Këlliçi: Sot liria funksionon vetëm për Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij

Nërsa shpresat për marrjen një “Po” për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duket se janë rritur gjatë orëve të fundit, deputeti demokrat Belind Këlliçi ka përkujtuar vizitën në Tiranë të sekretarit amerikan të shtetit James Baker, 31 vite më parë. Duke iu referuar shprehjes së tij se “liria funksionon“, Këlliçi tha se ajo shprehje funksionoi për Shqipërinë që njohu, në vetëm katër vjet, integrim shembullor në strukturat euroatlantike, ndërsa tha se pas 31 viteve nga kjo vizitë në Shqipëri funksionon vetëm liria për Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij.

"31 vite më parë, Sekretari amerikan, James Baker, bëhej i pari zyrtar i lartë amerikan që shkelte në Shqipëri. Vizita e tij mbetet e papërsëritshme, por mesazhi i saj jehon ende: Liria funksionon! Liria që frymëzon Amerika, dhe theksoi sekretari, funksionoi për Shqipërinë, që njohu, në vetëm katër vjet, integrim shembullor në strukturat euroatlantike.

Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit në vitin 2006.  U anëtarësua në NATO në vitin 2009. Mori liberalizimin e vizave në vitin 2010. Këta hapa gjigandë drejt integrimit, të hedhur gjatë katër viteve intensivë, ndodhën për faktin se liria funksionoi.

Por liria nuk punon dot e vetme. Këta 10 vjet të qeverisjes së Ramës, dëshmojnë se liria duhet shoqëruar me vullnet politik dhe me dashuri për Shqipërinë dhe kombin. Janë 10 vite të qindra ekskursioneve dhe gallatave qeveritare nëpër botë, pa asnjë rezultat. E dëshmon edhe ky 22 qershor, 31 vite pas vizitës së sekretarit Baker.

Edhe sot, në këtë datë të parë të integrimit të Shqipërisë, që shenjon përvjetorin e asaj vizite, Rama e refuzon integrimin.  Pasi deklaron se nuk do të shkojë në Bruksel, thotë se do të shkojë, por do të lexojë fjalimin që kishte gati, edhe pse nuk do të shkonte.

31 vite më vonë liria po funksionon për shqiptarët. Por, fatkeqësisht, është liria e ikjes nga vendi. Amerika, ju që e donit këtu iu mohohet prej 10 vitesh. Për shkak se Rama me 10 vetë, në kurriz të shqiptarëve, jetojnë ‘Eldoradon’e tyre. Liria duhet të funksionojë për të gjithë", tha Këlliçi.

/rtsh.al/