RTSH 24 Live

Sociale

29 fëmijë ndërhyrje për rikthmin të dëgjimit, Manastirliu: Depistim që në maternitet

28/09/2022

29 fëmijë ndërhyrje për rikthmin të dëgjimit, Manastirliu: Depistim që në maternitet

29 fëmijë më humbje të thellë të dëgjimit i janë nënshtruar ndërhyrjes së implantit koklar në Spitalin Francez në QSUT. 4 prej tyre që po mbahen në spital janë vizituar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Implanti Koklear është një intervent, i cili tashmë realizohet nga ekspertët tanë në shërbimin tonë shëndetësor publik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Është një procedurë e cila është e kushtueshme por ofrohet falas për çdo fëmijë që ka humbje të thellë dëgjimi. Ne sot kemi 29 fëmijë që janë mbështetur nëpërmjet vendosjes së implantit koklear. Janë 29 fëmijë, 4 prej të cilëve janë pikërisht sot këtu në këtë spital që kanë kryer interventin dhe janë duke kryer interventin të cilëve do t’u rekuperohet dëgjimi”, tha Manastirliu.

Pas një ndërprerje disa vjeçare për shkak të mungesës në fonde, Manastirliu ka premtuar depsitimin e dëgjimit të foshnjave që në maternitet me qëllim kapjen në kohë të problemeve.

Programi ynë i dëgjimit do të vijojë të fuqizohet në maternitetet në të gjithë vendin, në mënyrë që të kemi më shumë informacion dhe të ndihmojmë sa më shumë fëmijë. Deri përpara disa vitesh nuk mendohej që të kryheshin këto ndërhyrje në sistemin publik. Por tashmë jo vetëm që kryhen në sistemin publik, jo vetëm që realizohet ndërhyrja, por realizohet edhe ndjekja nëpërmjet strukturave tona të fizioterapisë, të logopedisë që është shumë i rëndësishëm që tashmë ka filluar si shërbim dhe po shtrihet edhe në qytete të tjera, për të vijuar përkujdesjen pranë vendeve të banimit për këta fëmijë që kryejnë implantin koklear”, tha Manastirliu.

Financimi i ndërhyrjeve të impantit koklear ka hyrë në vitin e tij të tretë. Kostoja e një fëmije që përfiton këtë ndërhyrje së bashku me trajtimin post-operator shkon mbi 22 mijë euro. 

/rtsh/