RTSH 24 Live

Aktualitet

2021, viti i akreditimit për Universitetin "Eqrem Çabej"

23/01/2021

2021, viti i akreditimit për Universitetin "Eqrem Çabej"

Viti kalendarik 2021 është një vit i veçantë për Universitetin e Gjirokastrës, pasi përket me vitin e akreditimit institucional dhe atë të programeve të studimit. Momentalisht punohet për vetëvlerësimin apo vlerësimin e brendshëm, raporti i të cilit në fund të janarit do të dorëzohet pranë Agjencisë së Akreditimit. Këtë herë, ky institucion akademik synon ta zgjasë kohështrirjen e akreditimit në më tepër se tre vjet.

“Akreditimi institucional ka filluar qysh në dhjetor dhe do vazhdojë deri në qershor. Ky ndahet në dy pjesë. E para eshtë hartimi i vlerësimit të cilësisë nga vetë institucioni. Për këtë është ngritur grupi i vlerësimit të brendshmën nga senati dhe po vazhdon puna për grumbullimin e gjithë dokumentacionit, të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me këtë proces, dhe në fund do të hartohet raporti i vlerësimit nga vetë institucioni i cili në datën 29 janar duhet të jetë në Agjencinë e Akreditimit. Mandej, është grupi i vlerësimit të jashtëm, që ngrihet nga agjencia me ekspertë, i cili do të analizojë raportin e universitetit për vlerësimin e brendshëm. Natyrisht do të ketë konkluzionet e tij ,por edhe takime  me struktura të ndryshme të universitetit, senatin, rektoratin, dekanatet, departamentet, grupe studentësh, profesoratin e kualifikuar etj. Më tej komisioni harton një raport  i cili depozitohet në Agjencinë e Akreditimit. Është Bordi i Akreditimit i cili merr vendimin përfundimtar për akreditimin dhe kohështrirjen në vite të tij, ku ajo maksimale është 6 vjet.” – sqaron rektori Bektash Mema

Universiteti “Eqrem Çabej ka aplikuar edhe për akreditimin e 12 programeve studimi të nivelit bachelor, proces ky që do të kryhet për herë të parë dhe do të shtrihet në periudhën korrik-dhjetor.