RTSH 24 Live

Rajon

200-vjetori i pavarësisë së Greqisë, Ruçi uron Tassoulas:  Greqia, fqinje, mike dhe aleate e ngushtë e Shqipërisë

25/03/2021

200-vjetori i pavarësisë së Greqisë, Ruçi uron Tassoulas:  Greqia, fqinje, mike dhe aleate e ngushtë e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Parlamentit të Greqisë, Constantine An.Tassoulas, me rastin e 200-vjetorit tëshpalljes së pavarësisë. 
“Sot mbushen 200 vjet nga shpallja e pavarësisë së Greqisë. Me rastin e  kësaj ngjarjeje të shënuar të historisë suaj kombëtare, në emër  të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju dërgoj përshëndetjet dhe urimet më të ngrohta.
Shpallja e pavarësisë hapi rrugën e zhvillimit, progresit, modernizimit të Greqisë dhe rritjes së mirëqenies së popullit grek. 
Greqia është sot një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, fqinj, mik dhe aleat i ngushtë i Shqipërisë, mbështetëse e fuqishme e zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe së fundi edhe e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE, për të cilën populli shqiptar është shumë mirënjohës. 
Greqia është bërë shtëpia e dytë e qindra-mijra emigrantëve shqiptarë, të cilët me punën dhe të ardhurat e tyre kontribuojnë jo vetëm për mirëqenien e familjeve të tyre, por edhe për zhvillimin e Greqisë dhe të atdheut të tyre, Shqipërisë. 
Emigrantët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura të fuqishme të miqësisë midis dy popujve dhe dy vendeve tona. 
Kjo datë e shënuar kremtohet në një kohë të vështirë. Unë uroj vendet tona dhe gjithë njerëzimi të përballojnë me sukses valët e pandemisë, të nisin rimëkëmbjen dhe të rikthehen sa në shpejt në jetën normale dhe gëzimet e saj.”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.