RTSH 24 Live

Botë

2 vite karantinë të plotë, Koreja e Veriut besohet se ka "rihapur kufijtë" me Kinën

27/01/2022

2 vite karantinë të plotë, Koreja e Veriut besohet se ka "rihapur kufijtë" me Kinën

Koreja e Veriut mund të ketë filluar të hapë gradualisht kufijtë e saj pas zbatimit të karantinës 2 vjeçare për shkak të pandemisë së COVID-19. Shenjat e rihapjes së kufijve veri-korean thuhet se shihen me rifillimin e trafikut të automjeteve transportues të mallrave të Koresë së Veriut drejt Kinës.

Sipas faqes së internetit "38 North" e cila njihet për lajmet lidhur me Korenë e Veriut, pamjet e satelitëve tregtarë tregojnë se treni i parë i mallrave të Koresë së Veriut javën e kaluar kaloi lumin Yalu dhe më pas u kthye nga Kina dhe se shkarkoi ngarkesën në aeroportin në rajonin kufitar Uiju.

Por, zyrtarët e Koresë së Jugut theksojnë se nuk është e sigurt nëse Koreja e Veriut ka hapur apo jo plotësisht tregtinë e saj tokësore me Kinën.

Në median e Koresë së Jugut, pretendohet se Koreja e Veriut mund të ketë rihapur përkohësisht hekurudhën mes rajonit Sinuiju dhe qytetit të Kinës, Dandong me qëllim për të marrë ushqime dhe produkte bazë për t‘ia dhuruar popullit në pushimet zyrtare për 80 vjetorin e babait të liderit aktual Kim Jong-un, përfshirë edhe 110-vjetorin e lindjes në prill të gjyshit të tij që themeloi vendin.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, Koreja e Veriut prej dy vitesh po zbaton kufizime të ashpra, përfshirë edhe kalimet kufitare, por populli ka mbetur i privuar nga nevojat elementare ndërsa rreziku i urisë mund të rritet për sa kohë që kufijtë qëndrojnë të mbyllur.