RTSH 24 Live

Kronika e zeze

2 të rinj të vdekur, një atentat mafioz i mirëpërgatitur

14/11/2021

2 të rinj të vdekur, një atentat mafioz i mirëpërgatitur

2 të rinj të vdekur, panik dhe frikë tek qytetarët ishte epilogu i një sage të gjatë historie kriminale për Erigers Mihasin, 32-vjeç, që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Tiranë bashkë me mikun e tij teksa lëviznin në makinën luksoze në zonën e Astirit. 

Ngjarje e mirëfilltë mafioze, një atentat i mirëpërgatitur, teksa autorët dyshohet se u larguan me mjetin e tyre në drejtim të Thumanës, ku edhe e braktisin për t'i vënë më pas flakën, siç është bërë tashmë traditë në disa dhjetëra ngjarje të ngjashme të ndodhur në rrugët e qyteteve tona. Brenda në makinën e djegur u gjetën 2 kallashnikovë. 

Të rinjve një breshëri kallashnikovi u mori jetën, vetëm 30 minuta pasi më parë ishin ndalur në një postbllok policor në zonën e Politeknikut në qendër të kryeqytetit. Pasi u qëlluan me armë, makina e viktimave u përplas me një shtyllë aty pranë. 

Viktimat kanë qenë të paarmatosur dhe pas kontrollit e mjetit të tyre në vendngjarje gjithashtu nuk është gjetur armë. Objektivi i atentatit duket se ka qenë Mihasi, edhe për arsyen se për viktimën tjetër Armand Dumani, 26-vjeç, nuk ka ndonjë precedent penal të regjistruar. 26-vjeçari Dumani ka qenë duke udhëtuar me mikun e tij, të cilin e kishte fqinj në zonën e Yrshekut në Tiranë, dhe nuk e ka menduar që ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit.

Erigers Mihasi, që ishte në timonin e makinës luksoze, tip Audi A7 me targa AB008EM, që u bë shoshë nga plumbat, njihet si një personazh i rrezikshëm dhe me shumë lidhje në botën e krimit. 32-vjeçari i vrarë njihet si mik i ngushtë i Ervis Martinajt dhe i ish-policit të ekzekutuar në gusht 2019, Santiago Malko.

Erigers Mihasi është arrestuar në vitin 2019, pasi dyshohet se ka qenë një prej autorëve të grabitjes me armë të banesës së prindërve të Elton Çiços në Tepelenë, edhe ky i vrarë në një lokal në Tiranë në vitin 2016. Arrestimi i tij është bërë në Yrshek të Tiranës. Ai fitoi pafajësinë për këtë krim dhe u lirua disa muaj më pas. Po ashtu, emri i tij del edhe në sulmin me armë ndaj kompleksit “Eiffel”, ku Mihasi u raportua si një nga bashkëpunëtorët e sulmit. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës. Autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të ish sheshit "Shqiponja". 

Ndërkohë që edhe policia e Elbasanit është vënë në lëvizje dhe ka ngritur postblloqe. Uniformat blu janë në kërkim të autorëve të një ngjarje që rrezikon të bëhet preludi i një përplasje bandash në kreyqytet.