RTSH 24 Live

Ekonomi

2 mijë familje që duan panele diellore do të subvencionohen 70% nga shteti! Balluku: Kurseni 20% të faturës së energjisë

02/10/2022

2 mijë familje që duan panele diellore do të subvencionohen 70% nga shteti! Balluku: Kurseni 20% të faturës së energjisë

Për herë të parë nis programi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për subvencionin me 70% të shumës për çdo familje që do të aplikojë për një njësi diellore për ngrohjen e ujit. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku bën me dije se ky subvencion vjen pasi ngrohja e ujit përben 20% e faturës për çdo abonent familjar dhe me këtë program ndihmohet ekonomizimi i energjinë.

Kjo thirrje e parë për aplikim, i drejtohet subjekteve tregtuese të interesuara për ofrimin e shërbimit të shitjes dhe instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për 2 mijë konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse. Konsumatorët familjarë që do aplikojnë për përfitim mase mbështetëse do mund të marrin shërbimin vetëm në një nga subjektet e publikuara nga Agjencia e Eficencës së Energjisë.

Ndërkohë që brenda datës 18 tetor të gjitha subjektet tregtuese duhet të paraqesin dokumentacionin pranë Agjencisë për Eficencën e Energjisë. Në kriteret e përcaktuara është vendosur që subjektet nuk duhet të kalojnë në ofertë vlerën 140,000 Lek (pa TVSH) duke përfshirë dhe kostot e transportit e instalimit.

Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur. Një tjetër kërkesë për subjektet është garantimi që kryerja e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri tek kolaudimi i panelit diellor për ngrohjen e ujit të jetë brenda datës 30 Janar 2023.

Gjithashtu këto subjektet duhet të angazhohen se do të pranojnë vetëm 30% të financimit nga abonentët familjarë dhe 70% të investimit nga Agjencia për Eficencën e Energjisë pas instalimit të panelit diellor.

/rtsh.al/