RTSH 24 Live

Televizion

18 studentë nga Departamenti i Gazetarisë përfundojnë praktikën në RTSH

19/01/2022

18 studentë nga Departamenti i Gazetarisë përfundojnë praktikën në RTSH

Në RTSH u mbajt sot ceremonia për shpërndarjen e certifikatave për tetëmbëdhjetë studentët e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës që përfunduan programin e tyre të praktikës në Radio Televizionin Shqiptar.

Ky aktivitet shënjoi raundin e dytë të programit të praktikës, i cili mundësohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmes projektit “Media në Fokus” të financuar nga BE.

Për një periudhë tre mujore, studentët e gazetarisë kanë kontribuar në departamente të ndryshme të programeve televizive dhe radiofonike, duke punuar ngushtë me gazetarë me përvojë dhe duke vënë kështu në praktikë ato që kanë mësuar tashmë në shkollë.

Gjatë ceremonisë të ndarjes së certifikatave, Zv.Drejtori i Përgjithshëm në RTSH, Martin Leka shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, duke nënvizuar veçanërisht ndihmën e ofruar përmes partneritetit BE-OSBE, në ofrimin e praktikës në RTSH si një mundësi shumë e madhe për studentët e gazetarisë.