RTSH 24 Live

Ekonomi

170 milionë euro të ardhura nga Doganat gjatë korrikun, Ministria e Financave: Rekord historik

01/08/2022

170 milionë euro të ardhura nga Doganat gjatë korrikun, Ministria e Financave: Rekord historik

Rreth 170 milionë euro të ardhura nga doganat për korrikun. Ministria e Financave dhe Ekonomisë raportoi një rekord historik të hyrave doganore për muajin korrik.

Sipas ministrisë, kërkesa për mallrat kryesore të konsumit kanë sjellë rritjen e zhdoganimeve dhe të ardhurave nga doganat për buxhetin e shtetit.

Shifrat zyrtare tregojnë se Doganat kanë shënuar një rekord të ardhurave të mbledhura në një muaj, duke ju afruar shifrës 20 miliardë lekë, shuma absolute më e lartë e arritur në historinë e Administratës Doganore në një muaj.

Të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se në muajin Korrik 2022, të ardhurat u realizuan në masën 19 miliardë e 625 milionë lek. Krahasuar me planin e rishikuar ,të rritur, janë realizuar rreth 775 milionë lekë më shumë, ndërkohë që krahasuar me Korrik 2021 janë realizuar rreth 2,5 miliardë lek më shumë ose me rritje me rreth 14,4%.

Ndër arsyet kryesore, sipas ministrisë, vlerësohen rritja e performancës së administratës doganore në shërbim të biznesit dhe qytetarëve, digjitalizimi i shërbimeve dhe rritja e zhdoganimeve të mallrave të akcizës gjatë korrikut, kryesisht nga sasia rekord e konsumit të cigareve prej 277 ton, kafesë rreth 600 ton, birrës rreth 12,250 mijë litra etj.

Si periudhë 7 mujore, doganat kanë realizuar 122,7miliardë lek të ardhura ose rreth 5,5 miliardë lek më shumë se plani i rishikuar. Në krahasim me 7 mujorin 2021 janë realizuar rreth 20,8 miliardë lek më shumë ose rreth 20,4% më shumë.

Edhe pse nuk raportohen të ardhurat sipas vlerës të zhdoganimit, por vetëm në sasinë e rritur të zhdoganimeve, të hyrat fiskale janë në këto nivele për shkak të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në tregjet nga vijnë. Në muajin e kaluar inflacioni në vend ka arritur shifrën 7,4 për qind, gjysma e së cilës, vlerësohet nga ekspertët se, është inflacion i importuar.

Të ardhurat fiskale në total, për 7 mujorin, pritet të jenë përtej planit dhe pritshmërive, pikërisht prej importit edhe të inflacionit nga vendet e origjinës, por edhe të rritjes së pandërprerë të çmimit të produkteve dhe shërbimeve brenda vendit. Rritja, sidomos e tatimit mbi vlerën e shtuar, pritet të përbëjë bazën e hartimit të një paketë ndihme për shtresat në nevojë menjëherë pas rishikimit të buxhetit 2022 në fillim të muajit shtator të këtij viti.

/rtsh/