RTSH 24 Live

Kulturë

15 fëmijë zhvillojnë talentin në kursin e këngës pranë Qendrës Kulturore “Fato Berberi”

21/01/2021

15 fëmijë zhvillojnë talentin në kursin e këngës pranë Qendrës Kulturore “Fato Berberi”
Prej tre muajsh ajo është bërë pjesë e kursit të këngës në Qendrën Kulturore “Fato Berberi” në Gjirokastër, ndërsa ka marrë pjesë në disa festivale të këngës për fëmijë. 11 vjeçarja Olgerta Rustemi vjen që nga Libohova me synim të qartë, që nesër do të ngjitet në skena më të mëdha.

“Kam marrë pjesë në shumë festivale të këngës për fëmijë. Vij me dëshirë në kurs e më pëlqen shumë të këndoj.Vij dy herë në javë  që bëj prova pranë qendrës Fato Berberi.Është një sakrificë për prindërit e mi që më shoqërojnë dhe unë dua t’ua shpërblej një ditë” – thotë Olgerta

Janë 15 fëmijë të talentuar që frekuentojnë rregullisht, 2 herë në javë, kursin e këngës në këtë qendër. Dashuria për muzikën i sjell ata edhe nga zona jashtë qytetit si Lazarati, Libohova, Kardhiqi. Edhe në këto ditë të ftohta ata nuk e kanë ndërprerë pjesëmarrjen. Gjithsecili, me karakteristikat e zërit të tij, dëshiron që të bëhet këngëtar.

“Të gjithë fëmijët vijnë me pasion shprehin emocionet dhe talentin e tyre. Ne kemi sjellë në fund të vitit kengën e vitit të ri si një kartolinë  me mesazh urimi për qytetin e Gjirokastrës. Zërat e fëmijëve në qendër i kemi 15 fëmijë të talentuar. Nuk vijnë për t’u argëtuar, por nesër të bëhen këngëtarë. I kemi dhe nga zonat përreth qytetit si Lazarati, Libohova, Ura e Kardhiqit. Zërat fëminorë janë zëra të bardhë , të pastër, të bukur. Çdo fëmijë ka veçorinë e zërit , por ka dhe nga ata që janë të vlerësuar si të vecantë. Kemi zëra të fortë e të fuqishëm si Klaudia, Rinadi, Olgerta Aferdita , Aleksandra që të lënë mbresë kur i dëgjon.”- thotë instruktori Gentian Selfo.

Qendra Kulturore “Fato Berberi” ofron një gamë të gjerë kursesh për fëmijë, duke u dhënë mundësinë atyre të zhvillojnë talentin e tyre në fusha të ndryshme.