RTSH 24 Live

Politikë

110 vjetori i Pavarësisë, Rama: Ditë e bekuar e kombit tonë! Xhaçka: Shqipëria, e rreshtuar në anën e duhur të historisë

28/11/2022

110 vjetori i Pavarësisë, Rama: Ditë e bekuar e kombit tonë! Xhaçka: Shqipëria, e rreshtuar në anën e duhur të historisë

Politika shqiptare ka uruar 110 vjetorin e Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit! Kryeministri Edi Rama ka uruar 110 vjetorin e pavarësisë me Dua Lipën e cila mori shtetësinë shqiptare. 

Rama e ka cilësuar 28 nëntorin si ditën e bekuar të kombit tonë, ndërsa fton qytetarët që të marrin pjesë në festimet në Sheshin Skëndërbej, ku do të performojë edhe Dua Lipa.

“Mirëmëngjesi dhe me qytetaren më të re të Shqipërisë, ju uroj të gjithëve gëzuar përvjetorin e 110 të Flamurit të Pavarësisë, këtë ditë të bekuar të kombit tonë që sot do të mbyllet me Duan në Sheshin Skënderbej”, shkruan Rama.

Urimi ka ardhur edhe nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka e cila thotë se Shqipëria është rreshtuar në anën e duhur të historisë ashtu si 110 vjet më parë kur shqiptarët triumfuan në luftën e tyre për pavarësi.

Xhaçka tha se ky është një moment krenarie për gjithë shqiptarët, por edhe një moment për të reflektuar mbi arritjet dhe punën që duhet çuar përpara.

“Gëzuar 110-të vjetorin e Pavarësisë Shqipëri! Ky është një moment krenarie, por edhe një moment për të reflektuar mbi arritjet dhe punën që do duhet çuar përpara! Sot Shqipëria është një realitet krejt ndryshe. Vendi ynë, kombi ynë është rreshtuar në anën e duhur të historisë ashtu si 110 vjet më parë kur shqiptarët triumfuan në luftën e tyre për pavarësi. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka hapur negociatat me BE-në, qëndron e ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe po kontribuon në disa prej çështjeve më të rëndësishme me të cilat bota po përballet”, tha Xhaçka

Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila thotë se historia nuk është vetëm rrëfim e arkiva, por edhe përkushtim për t’i shërbyer kombit.

“Sot, 28 Nëntor, 110 vjet Shqipëri e pavarur! Shqipërinë e pavarur e themeluan patriotët shqiptarë, të udhëhequr nga Ismail Qemali. Formimi i shtetit shqiptar ishte rezultat i luftërave të popullit shqiptar për t’u shkëputur nga perandoria osmane. Ishin këto luftëra e këto përpjekje që, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha të kohës, mundësuan njohjen, përcaktuan statusin politik, kuadrin juridik dhe kufijtë shtetërorë të Shqipërisë së pavarur.

Historia nuk është vetëm rrëfim e arkiva, por edhe një shkollë atdhedashurie, përkushtimi e kontributesh për t’i shërbyer kombit, në misionin dhe qëllimet që shtron koha. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, në një fazë të re të rrugëtimit evropian, dhe qëndron  denjësisht në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE.Më 6 dhjetor Tirana do të jetë kryeqyteti politik i Evropës, ku udhëheqësit e së cilës do të diskutojnë sfidat e integrimit, zhvillimit, sigurisë dhe paqes!”, tha Nikolla.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se është krenari që flamuri shqiptar të ngrihet në çdo arritje ndërkombëtare.

“Dita e flamurit këtë vit ka më shumë emocion, më shumë vlerë. Ky 110 vjetor i pavarësisë na përbashkon më fort. Liria dhe paqja për ne shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin, është bërë më e shtrenjtë. Agresioni rus ka tronditur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregullat duke e sjellë sigurinë në qendër të vëmendjes shoqërore.  Simboli i vetëdijes kombëtare është Flamuri kombëtar. Ai është ylli orientues i shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë me dinjitet e identitet kombëtar.

Me këtë Flamur, sot në NATO e nesër në BE, ne do të prezantojmë Shqipërinë moderne. Ky flamur do të ngrihet në çdo arritje ndërkombëtare, në kulturë, art, sport, shkencë e teknologji.Forca e këtij Flamuri e bëri Luiza Gegën të vraponte më shpejt e të dilte e para në Europë e duhet të na bëjë edhe ne të kapërcejmë mbi kohën e të dalim në krye. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit tonë kuqezi”, shkruan Peleshi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ka uruar shqiptarëve 110-vjetorin e Pavarësisë me fjalët e Ismail Qemalit

“110 VJET PAVARËSI - GËZUAR DITËN E FLAMURIT. “… tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije, Atdhenë tonë të Lirë…” - Ismail Qemali”, shkruan Veliaj.

Pjesë e urimeve është bëtë edhe deputeti i PD, Lulzim Basha i cili shkruan se 28 nëntori na bashkon plot krenari dhe mirënjohje për veprën e pavdekshme të heronjve

“Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e madhe që na bashkon plot krenari dhe mirënjohje të thellë për veprën e pavdekshme të heronjve dhe dëshmorëve të Kombit. Sakrifica e tyre në altarin e lirisë kombëtare, mban ndezur në zemrën e çdo shqiptari flakën e besimit tek e nesërmja.  Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”, shkruan Basha.

/rtsh.al/