Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar detaje në lidhje me goditjen e një grupi të strukturuar kriminal, ku u prenë 10 urdhër-arrestet.
4 prej urdhër-arresteve janë ekzekutuar duke çuar në pranga ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, shefin e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr.6, Dedan Gjoni dhe Bujar Germizin, emër ky i njohur i botës së krimit në Kukës, ndërsa për oficeren e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, Jonida Babameto është caktuar masë e sigurimit personal.
Po ashtu, në kërkim janë dhe 7 persona të tjerë të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, konkretisht: Besmir Mustafi; djali i Erzen Breçanit, Eralbi Breçani; Ervin Mata; Besmir Murati; Artan Sulejmani; Albert Prenga; Bajram Gerbova.
SPAK bën me dije se operacioni u krye në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze, ndërsa personat për të cilët janë prerë urdhër-arrestet rezultojnë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë.
Po ashtu, nga hetimet janë dokumentuar edhe 4 raste të trafikut të drogës, konkretisht:
Është sekuestruar një sasie prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;
Është sekuestruar një sasie prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;
Është sekuestruar një sasie prej 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;
Është sekuestruar një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;
Paratë e përfituara nga aktivitete kriminale, autorët i pastronin në Shqipëri. SPAK bën me dije se vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.
Nga hetimet janë identifikuar edhe autorët e dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipëri, por SPAK nuk bën me dije emrat e personave të vrarë.
Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre.
Në këtë grup kriminal kanë qenë të përfshirë edhe punonjës të Policisë së Shtetit, ku sipas SPAK janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cenonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit.
“Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale. Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.124, datë 17.11.2023 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit I.Z, B.A, D.Gj, E.B, B.M, A.S, A.P, B.G, E.B, E.M dhe masën e sigurimit personal për shtetasen J.B”, njofton SPAK.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe ambiente të tjera, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri.
/rtsh.al/