RTSH 24 Live

Aktualitet

"The Times" artikull për vrasjen e Jonadës: Skafi bënte manovra të rrezikshme, Rama po përballet me kërkesat për dorëheqje

06/08/2022

"The Times" artikull për vrasjen e Jonadës: Skafi bënte manovra të rrezikshme, Rama po përballet me kërkesat për dorëheqje

Vrasja e 7-vjeçares Jonada Avdiu teksa po lahej në bregun e detit në Potam të Himarës nga një gomone me drejtues Arjan Tase, është pasqyruar në mediat botërore.  "The Times" shkruan se 7-vjeçarja u vra nga oficeri i lartë i policisë teksa drejtonte me shpejtësi varkën dhe bënte manovra të rrezikshme. Në artikullin e "The Times" pasqyrohet gjithashtu dhe protesta e mbajtur përpara Ministrisë së Brendshme nga shoqëria civile. Sipas artikullit, nënvizohet se kryeministri Edi Rama po përballet me kërkesat për të dhënë dorëheqjen mes zemërimit në rritje të publikut për vdekjen e Jonadës.

“Vajza britanike që u vra nga një skaf i drejtuar nga një oficer i lartë policie. Jonada Avdia ishte duke notuar në det me të atin në Potam, në jug të vendit, kur u godit teksa oficeri dyshohet se ka bërë “manovra të rrezikshme”. Në të gjithë Shqipërinë janë mbajtur protesta pas vdekjes së një 7-vjeçareje britanike, e cila u vra nga një skaf i drejtuar nga një oficer i lartë policie. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, përballet me kërkesat për të dhënë dorëheqjen mes zemërimit në rritje të publikut për vdekjen e Jonadës. Ky është incidenti i tretë me skafe në plazhet e Shqipërisë këtë verë. Komisari i policisë Arjan Tase, i cili drejtonte skafin, është akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”, e cila dënohet maksimalisht me pesë vjet. Jonada, nga Barking, në lindje të Londrës, ishte me pushime me babain e saj, Bledarin dhe nënën”, thuhet në artikullin e "The Times".

Kujtojmë se më 2 gusht, 7-vjeçarja Jonada Avdiu u përplas nga një gomone, që drejtohej nga Arjan Tase i cili ishte Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan. E mitura ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje. Fill pas tragjedisë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar, Arjan Tase.  Ky i fundit doli më 5 gusht para Gjykatës së rrethit Gjyqësor Vlorë ku u dënua me "arrest me burg" për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte”.

/rtsh.al/