RTSH 24 Live

Kulturë

“The Independent”: Shqipëria një nga sekretet e ruajtura më mirë të Evropës

07/09/2022

“The Independent”: Shqipëria një nga sekretet e ruajtura më mirë të Evropës

Nëse dëshironi një cep të Evropës që të ndihet autentike, me plazh të pazbuluar? Shqipëria e nënvlerësuar ka gjire dhe bukuri për të rivalizuar fqinjët e saj, shkruan Lucie Grace për The Independent.

Ajo sygjeron Rivieren Shqipëtare si nje nga vendet më të pazbuluara të Evropës.

Reportazhi i plotë i The Independent:

Me një peizazh malor me pamje nga ujërat e kristaltë dhe plazhet me guralecë relativisht të përgjumur, “Riviera Shqiptare” është një nga vendet më të pazbuluara të Evropës. Përjetimi i një jave duke lëvizur mes limaneve dhe qosheve të Rivierës, emri i mrekullueshëm për zonën më jugore të bregdetit të Shqipërisë, ishte një kënaqësi e papritur. I ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga Malet e Ceraunit, rajoni shtrihet 120 kilometra nga Vlora në Sarandë, duke përfshirë plazhe, kanione, kështjella dhe qytete të vogla karakteristike bregdetare. Rindërtimi i rrugës bregdetare në vitin 2009 e bëri më të lehtë eksplorimin, qoftë me biçikletë, makinë apo autobus, ose në rastin tim, një kombinim i të trejave.

Nëse do të përshkruaja bukurinë e këtyre plazheve kolektivisht: ato janë paqësore, me ujëra të kthjellët dhe vezullues. Ato janë shumë më pak të frekuentuara nga turistët sesa Greqia fqinje, që do të thotë se mund të akomodohesh me çmime shumë më të përballueshme. Dhe ndryshe nga hotelet e rezervuara të Evropës, mikpritësit janë vërtet të kënaqur që ju do të qëndroni aty.

Shqipëria ka qenë e shkëputur nga bota për më shumë se 40 vjet, me në krye diktatorin komunist Enver Hoxha që prishi lidhjet me Rusinë pasi besonte se Bashkimi Sovjetik ishte shumë i butë. Njerëzit këtu përjetuan nivele të izolimit të Koresë së Veriut përgjatë shekullit të 20-të, vetëm vendasit e dinin sesa mahnitës ishte peizazhi i tyre.

Duke supozuar se po fluturoni për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, gjatë çdo udhëtimi, qoftë në Alpet Shqiptare në veri, qytetet e epokës osmane në lindje apo plazhet e klasit botëror në jug, nevojitet ose një makinë me qira ose një autobus lokal. Duke mos qenë shofere, të merresha me autobusët ishte detyra ime e parë.

Stafi në hotelin tim në Tiranë më informoi përmes website-it rreth orarit të autobusëve lokalë ku mësova se të gjitha udhëtimet paguheshin në bord, ndaj nuk mund të bëja një rezervim paraprak. Nëse doni të zbrisni në një fshat të caktuar përgjatë rrugës me autobus, mund ta njoftoni shoferin përpara se të niseni dhe ai do të ndalojë, edhe nëse nuk është një ndalesë zyrtare. Pasi kuptova rregullat e mirësjelljes, hipa në një autobus në terminalin e autobusëve veri-jug të Tiranës, dhe u nisa për në qytetin bregdetar të Vlorës. Kjo ishte porta e Rivierës, në të cilën do të ndaloja përpara se të nisesha drejt rrugës bregdetare dhe skajit tjetër të saj, Sarandës.

Duke përdorur hartën e udhëtimit, u nisa në Vuno, një fshat i bukur me kalldrëm. Atje gjendej një lokal, “Bar Lula” dhe një restorant, “Markos”, i vendosur pranë një pike karburanti. Restoranti ofronte pjata tradicionale si, qofte dhe peshk të pjekur në zgarë me perime që kushtonin rreth 4 £. Në Mykonos nuk ishte kështu. Cilësia e ushqimit këtu ishte një nga surprizat e mia, restoranti shërbente sallata të bollshme dhe shumë peshk, së bashku me byrek me djath (pjata ime e preferuar ballkanike).

Vitin e kaluar, ndërsa shumica e vendeve evropiane ishin të vështira për t’u aksesuar, Shqipëria ishte plotësisht e hapur për të gjithë. Shqipëria u vizitua nga  turistë nga e gjithë bota, si dhe nga vendet e Ballkanit.

Së bashku me motoçikletën time “Viaggio”, u nisa për të vizituar plazhet dhe qytetet e Rivierës, duke eksploruar rrugët dredha-dredha malore që ofronin një pamje madhështore në çdo hap. Plazhet e gjata dhe familjare të Borshit dhe Qeparos ndaheshin nga fshatrat e tjera nga pemët aromatike me ullinj dhe selvi. Zbulova se Himara, qyteti më i afërt në jug të Vunoit, ishte i popullarizuar nga një turmë e re turistësh, që shëtisnin në bulevardin pranë detit me një sërë baresh, restorantesh dhe operatorësh të mëdhenj të udhëtimeve me varkë.

Unë mora me qira një varkë të vogël për të vizituar fqinjin e fshehur të Himarës, Plazhin e Filikurit, një zonë e izoluar me guralecë, me ujërat më të bukur turkeze përgjatë Rivierës. Pas një udhëtimi të shkurtër përtej Himarës arrita në “Porto Palermo”. Zona është një thesar i limaneve të vegjël ku mund të çlodheni, të gjitha gjysmë të dukshme nga rruga.

Megjithatë, pjesët e mia të preferuara të bregdetit ishin gjiret e paprekura, në skajin verior të plazhit të Dhërmiut. Valët mahnitëse të kaltra të detit ushqeheshin nga një burim i ujit të ftohtë, që rridhte nga malet poshtë shtratit të detit dhe e bënte ujin jashtëzakonisht të ftohtë.


Duke biseduar me vendasit, mësova se skaji i kundërt i plazhit të Dhërmiut ishte i famshëm për festivalet e tij të muzikës elektronike, si “Festivali Kala” i themeluar në Britaninë e Madhe dhe klubet e plazhit të zonës. Bruno Brazhda, menaxher i barit “Rose by Havana” më tha se “Festivali Kala” kishte ndihmuar në promovimin e ujërave të freskëta e transparente të Dhërmiut.

Brazhda shtoi se vitin e kaluar “Riviera” përjetoi një rritje të papritur të popullaritetit. “Erdhën shumë maqedonas, gjermanë dhe polakë”, tha ai. Të qenit një nga vendet e vetme të hapura plotësisht në verën e 2021 kishte avantazhet e veta.
Dhe pavarësisht se bordi turistik shqiptar thotë se numri i vizitorëve në vitin 2022 është rritur me 45 për qind krahasuar me vitin e kaluar, unë përpiqem të gjej një plazh  të mbipopulluar, edhe gjatë dy javëve të fundit të korrikut.

Një nga limanet më të organizuar, “Plazhi i Jalës”, është i mbushur me bare dhe restorante, plus shezllone të bukura dhe çadra bambuje.

Jala është gjithashtu shtëpia e hotelit luksoz “Folie Marine Resort & Club”. “Këtu nuk kishte asgjë fare, asnjë bar apo resorte. Ishte një parajsë e vërtetë”, tha Elton Rukaj i cili drejton qendrën “Oazi Blue Diving” duke e kujtuar këtë plazh 15 vite më parë.

Është një shembull i mirë sesi puna këtu është në progres, një rajon ende në zhvillim dhe në ngritje. Nëse tundoheni të ndërroni Greqinë me një udhëtim në brigjet më të zbrazëta të Shqipërisë, koha për të shkuar aty është tani.