RTSH 24 Live

Sociale

“Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”, Rama: Interes për të zbardhur historinë e shqiptarëve!

29/11/2024

“Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”, Rama: Interes për të zbardhur historinë e shqiptarëve!

Botimi i librin “Të rënët e Luftës II Botërore pa dallim kombësie, feje, krahine, ideje”, erdhi për lexuesin në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të atdheut nga forcat nazifashiste. Libri hedh dritë mbi fakte të qëmtuara deri në thellësi, për t’u lënë gjeneratave të ardhshme një dokument që flet mbi luftën e popullit shqiptar ndaj pushtuesve.

Në aktivitet mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. Duke përshëndetur aktivitetin, ai tha se fakte të tilla dhe kërkimet historike i japin historisë një përmasë përtej atyre fakteve që kemi trashëguar nga një tjetër regjim.

"Kanë kaluar shumë vite, por përsëri besoj se nuk janë mjaftueshëm për distancën dhe qetësinë e nevojshme për ta shkruar historinë e Luftës së Dytë Botërore, edhe pse kanë kaluar vite dhe të gjitha dokumentet e burimet janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzione relativisht objektive" tha ai. 

Por kryeministri socialist u shpreh se "... kam një farë besimi, se çfarëdo që të prodhohet sot e në vijim, do të jetë shumë më pak e ngarkuar sesa pavionët e Muzeut Kombëtar, të bëra me konsulencën e historianëve para dhe pas rënies së diktaturës, të cilat për hir të së vërtetës e tregonin si në një pasqyrë se sa e ngjashme ishte para dhe pas diktaturës qasja e historisë, duke e tërhequr maksimalisht nga vetja litarin, pra nga interesat e pushtetit politik të radhës".

"Mua dhe qeverisë shqiptare, sot e një dekadë nuk ka asnjë interes për të ndërhyrë në punët e historianëve dhe asnjëlloj kompleksi për të ndërhyrë në të gjitha të vërtetat e historisë" tha zoti Rama. Ai u bëri thirrje historianëve të rinj, "...të kenë sadopak nga ndërgjegjia dhe pasioni juaj, ashtu sikundër duke ua qarë hallin atyre të kenë sadopak fakte historike të qarta kur të vijë radha për të shkruar historinë e këtyre kohëve, kur qeveritë dhe shtetet komunikojnë më shumë me SMS sesa me shkresa".

"Kjo do të jetë një sfidë e madhe për historianët, sepse të gjitha letrat e dërguara, të gjitha korrespondencat e prodhuara nga shkëmbimet e letrave kanë qenë një nga ingredientët më të rëndësishëm të kuzhinës së historisë" tha zoti Rama. "Ngushëllimi i madh është që kur të vijë koha për të shkruar historinë asnjëri nga ne nuk do të jetë gjallë" mbylli fjalën ai.

/ rtsh.al /