RTSH 24 Live

Politikë

"Të ndërhyhet urgjent në buxhet", Teliti: Qeveria ka braktisur qytetarët dhe bizneset

06/08/2022

"Të ndërhyhet urgjent në buxhet", Teliti: Qeveria ka braktisur qytetarët dhe bizneset

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Dorian Teliti në një deklaratë për media, duke iu referuar raportit të fundit të OKB se 1 në 3 shqiptarë jeton në pasiguri ushqimore, ka deklaruar se qeveria ka braktisur qytetarët në nevojë, pensionistët dhe bizneset. Teliti në emër të PD ka kërkuar që të ndërhyhet urgjent në buxhetin e vitit 2022.

PD ka kërkuar shkurtimin e të gjitha shpenzimeve operative jo të domosdoshme, pezulllimin e procedurave të prokurimeve publike që nuk kanë lidhje me rritjen e ekonomisë dhe mirëqenies.

Kush më mirë se ju e ndjen krizën ekonomike që vazhdon të thellohet dita ditës? Çmimet vazhdojnë të rriten, ata që marrin ushqime me listë shtohen çdo ditë, jetesa po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme. Sipas raportit të fundit të OKB, 1 në 3 shqiptarë jeton në pasiguri ushqimore. Disa muaj më parë, qeveria ndërmori një paketë 3-mujore ndihmë. Fatkeqësisht ishte më e ulëta në rajon dhe asgjë më shumë se një “lemoshë” . Paketa prill-maj-qershor nuk i dha aspak përgjigje nevojës për të luftuar efektet e krizës. Që nga 1 korriku paketë mbështetëse nuk ka më. Qeveria i ka braktisur të gjithë: qytetarët në nevojë, pensionistët dhe bizneset. Ndaj, Partia Demokratike kërkon që të ndërhyhet menjëherë në buxhetin e vitit 2022: Të shkurtohen të gjitha shpenzimet operative jo të domosdoshme. Të pezullohen të gjitha procedurat e prokurimeve publike që s’kanë lidhje me rritjen e ekonomisë & mirëqenies, por vetëm për fryrjen e xhepave të një grushti njerëzish", tha Teliti.

Anëtari i Këshillit Kombëtar i ka bërë thirrje qeverisë ndërprerjen e pagesave buxhetore për të gjitha PPT-të korruptive, për të cilat, siç bën me dije ai, janë rreth 120 milionë euro të parashikuara për tu paguar gjatë vitit aktual.

Çdo lek i kursyer nga masat e mësipërme dhe çdo lekë shtesë që ka ardhur në arkën e shtetit si pasojë e rritjes së çmimeve, ti kthehen sa më shpejt qytetarëve dhe bizneseve nëpërmjet paketave mbështetëse. Për kujtesë: vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2022 janë mbledhur 22.7 miliardë lekë më shumë TVSH krahasuar me janar-qershor 2021. Lekët janë dhe gjenden lehtësisht në buxhet, por duhet vullneti politik i qeverisë për të konkretizuar një orë e më parë një paketë të dytë serioze antikrizë, në vend të “lemoshës” së paketës së pare”, tha Teliti.

/rtsh.al/