RTSH 24 Live

Art

"Të mjerët" ekspozitë e piktorit Karanxha 

07/10/2021

"Të mjerët" ekspozitë e piktorit Karanxha 

"Të mjerët" është ekspozita e radhës e piktorit Roland Karanxha e çelur në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Pas një eksplorimi disavjeçar në rrugët e qytetit piktori Karanxha sjell portretet e mjera të njerëzve të vetmuar, që kanë tronditur shpirtin e një artisti.
Ndryshe nga  personazhet e famshëm rebelë të Viktor Hygoit, të mjerët e piktorit Karanxha rrugën e shpëtimit e gjejnë tek vetmia. Me penelin e tij artisti ka ditur të depërtojë thellë tek këto portrete, ndërsa zymtësinë e tyre e zbut me të artën e vjeshtës dhe dimrit. Akriliku, teknika e cila identifikon piktorin Karanxha gjen vend edhe tek poetika dhe sensualiteti i nudove që prezantohen me punimet e tjera në këtë ekspozitë. 
Piktori korçar ka preferuar që edhe ketë vit energjinē krijuese ta ndajë me artëdashësit dhe kolegët e tij në Tiranë. Ekspozita me 83 punimet e piktorit Roland Karanxha që u çel me 3 tetor ka tërhequr vëmëndjen e publikut dhe do të vazhdojë të qëndrojë e hapur edhe në ditët e ardhshme.