RTSH 24 Live

Sociale

“Syri i Kaltër” mahnit edhe në vjeshtë, turistët tërhiqen nga bukuria dhe legjendat e vendit magjik

3 orë para

“Syri i Kaltër” mahnit edhe në vjeshtë, turistët tërhiqen nga bukuria dhe legjendat e vendit magjik

Syri i Kaltër, si një mrekulli e natyrës në jug të vendit, tërheq në çdo stinë të vitit një numër të lartë turistësh që vizitojnë Shqipërinë. Edhe këto ditë vjeshte, ky monumente natyre po vizitohet nga turistë të shumtë.

Këtu te huaj ndalen, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet që ofrohen në lokalet që gjenden në këtë pikë turistike.

"Unë jam nga Franca, zgjodha ta vizitoj Syrin e Kaltër pasi është një vend shumë i bukur, na pëlqen natyra këtu, malet, uji i kristaltë, njerëzit janë shumë të sjellshëm është një vend shumë interesante për t’u vizituar".

"Një vend i mahnitshëm, na sugjeruan disa miq tanë për ta vizituar, që kishin ardhur këtu më parë , kemi ngelur të mahnitur. Po na pëlqen me të vërtet shumë. Kemi shijuar edhe gatimet tradicionale, ishin të mrekullueshme".

Për këtë bukuri natyrore, një nga 18 burimet karstike të Malit të Gjerë, ka në rrjedhën e kohës edhe shumë legjenda e rrëfime për të cilat të huajt janë të interesuar t’i dëgjojnë.

"Peisazhi është i mrekullueshëm, por ne u interesuam për të mësuar edhe rreth historisë së këtij monumenti pasi duket si një vend magjik, vendasit na treguan edhe legjenda të cilat janë interesante për tu dëgjuar".

Veç natyrës së bukur është edhe mikpritja e vendasve, gastronomia karakteristike e krahinës, qetësia e natyrës që e detyrojnë vizitorin të ndalet e të kërkoj paqe për disa orë në këtë parajsë natyrore.

/rtsh.al/