RTSH 24 Live

Letërsi

“Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”

21/07/2021

“Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”

Fisnikëria dhe buzëqeshja rinore, janë dy elementë që karakterizojnë Suzanën, personazhin që rrëfen për jetën e saj në librin “Suzana Biçaku Maliqi: Gjineshtra në vullkanin e kuq”.
Ky libër me autor Denis Gilën, i cili u promovua këtë të mërkurë në Akademinë e Shkencave, është konceptuar në formë e një interviste të gjatë. Përmes dëshmive të jetuara, Suzana rrëfen për fëmijërinë e saj dhe sesi u kthye në një viktimë të luftës së klasave, vetëm për faktin se familja e saj ishte ndër më të pasura të Shqipërisë dhe ishte e njohur për ndjenjat e forta filantropike. 
“Babai im ka qenë buka e fukarait. Me politikë s′është marrë kurrë. Ëndrra ime ishte për djalin, që doja ta bëja me shkollë. Unë jo vetëm që s′e bëra me shkollë, por më përjashtuan nga të gjitha shkollet e Shqipërisë që në klasë të parë ” thotë Suzana.
Siç rrëfen edhe vetë Suzana në këtë libër, ironia e fatit qëndronte në faktin se të dy prindërit morën si dënim burgosjen politike, edhe pse ata asnjëherë nuk ishin përzier në politikë. Por pavarsisht se, që në fëmijëri është ndeshur me sfida të papërballueshme mbijetese, janë 2 karakteristika që autorit Denis Gila, i kanë bërë përshtypje të veçantë tek ky personazh...
“Në rrëfimin e Suzanës më kanë bërë përshtypje 2 gjëra: thjeshtësia dhe mosurrejtja" thotë ai. "Një person që nuk ka urrejtje me ata që e përndjekin përgjithmonë, pavarsisht se e hoqën nga shkolla, pavarsisht se i dhanë punë të rëndomta të sistemit ajo nuk urrente asnjëri. Çdo gjë që rrëfente për jetën e saj, rrëfente vetëm pjesën e bukur, ama nuk arriti të akuzojë një person në vetë të parë, të thojë që komunizmi më bëri këtë.
Siç ndodhi me të gjithë gjithë shqiptarët në vitin 97, edhe Suzana udhëtoi drejt Italisë, aty ku jetoi shumë vite. 
“Në Itali bëri punë nga më të rëndomtat, shoqëronte personat në moshë edhe pse vetë ishte në moshë. Nuk doja ta ekzagjeroja, por Suzana është një Nënë Tereza në miniaturë” thotë Gila. 
Në fund të promovimit të librit, miqtë artistë e surprizuan Suzanën me interpretimin e disa këngëve të përzgjedhura shqiptare për të nderuar prezencën e saj.