“Sesion 31" dhe "Talent" do të jenë 2 dritaret e reja të promovimit të të rinjve shqiptarë, të cilat tashmë kanë marrë udhë në Radio Televizionin Shqiptar.
Ashtu sikurse në programet përgjatë këtyre muajve që RTSH ka realizuar për të promovuar të rinjtë, edhe kësaj radhe në dispozicion të tyre do të jenë studiot e Radio Tiranës, në mënyrë që të mundësojnë realizimin e tyre muzikor.
“Risia është një formulë që kemi gjetur për të gjetur këngëtarë të rinj në gjimnazet e të gjithë Shqipërisë”, u shpreh drejtori i Radio Tirana, Bojken Lako.
Ky konkurs do të realizohet në 3 faza. Faza e parë është përzgjedhja e artistëve të rinj në të gjithë gjimnazet e Shqipërisë.
Në fazën e dytë atyre do tu vihet në dispozicion një bandë profesionale muzikore ku do të realizojnë nga dy projekte muzikore të huaja të cilat do tu publikohen në YouTube për të parë edhe pëlqyeshmërinë e tyre ndërsa në fazën e 3 një juri profesioniste prej 31 anëtarësh do të bëj përzgjedhjen e 25 muzikantëve të rinj profesionistë.
“Ne po punojmë, po i bëjmë thirrje të gjithëve producentëve të rinj të cilët kanë këngë të tyre që nëpërmjet studiove të regjistrimit të Radio Tirana, do i japim mundësi që këto këngë t’i realizojnë kundrejt asnjë pagese, por për t’i promovuar. Finalja do të marrë formën e një festivali”, u shpreh Lako.
Finalja e programit të ‘‘Sesion 31“ në fund të përzgjedhjeve muzikore do të marrë formën e një festivali ku do të prezantohen 25 këngë të reja, disa prej të cilëve do të kenë fatin t'i bashkohen festivalit të fundvitit në RTSH, ndërsa pjesëmarrësit e përzgjedhur në programin e “Talent“ pjesëmarrësit e të cilit i përkasin grupmoshës 9-14 vjeç do të kenë mundësi që të bëhen pjesë e festivalit për fëmijë "Junior Fest".
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/