RTSH 24 Live

Europë

“Sea-Eye 4” shpëton 90 migrantë në Mesdhe

17/12/2022

“Sea-Eye 4” shpëton 90 migrantë në Mesdhe

Në një operacion të përbashkët në Detin Mesdhe, dy organizata gjermane të ndihmës kanë shpëtuar 90 migrantë me varka, njofton ATSH.

Sipas njoftimit të organizatës joqeveritare (OJQ), “Sea-Eye” me seli në Regensburg, 63 personat, nga shpëtimi i parë, kishin qenë në lëvizje për një ditë e gjysmë në një gomone të papërshtatshme për lundrim.

Ekuipazhet e “Sea-Eye 4” dhe “Rise Above” të organizatës “Mission Lifeline” me seli në Dresden u përfshinë në operacion të premten në mbrëmje.

Sipas raportit, 12 të mitur të pashoqëruar ishin në mesin e të shpëtuarve, të cilët të gjithë u morën në bordin e “Sea-Eye 4”.

Ekuipazhi i “Rise Above” shpëtoi të shtunën 27 sirianë gjatë një misioni tjetër.

Vullnetarët e organizatave, të cilat mbështeten në donacione për financimin e tyre, arritën në zonën e veprimit, në brigjet e Tunizisë dhe Libisë, disa ditë më parë.

Migrantët zakonisht nisen nga Afrika e Veriut me varka të papërshtatshme për të arritur në BE, përmes detit.

( Sipas ATSH )