RTSH 24 Live

Politikë

"Samiti në Tiranë, historik", Balla në Vjenë: Ballkani të jetë prezentë në PE

08/12/2022

"Samiti në Tiranë, historik", Balla në Vjenë: Ballkani të jetë prezentë në PE

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, në fjalën e tij në Vjenë në takimin mes drejtuesve të Socialistëve dhe Demokratëve në BE dhe drejtuesve të qeverive/grupeve Parlamentare të partive progresiste të Ballkanit Perëndimor u ndal fillimisht te samiti i mbajtur më 6 dhjetor në Tiranë duke e konsideruar si një ngjarje historike për Shqipërinë. Sipas Ballës, shpirti europian në vendin tonë duhet mbajtur gjallë pavarësisht sfidave me të cilat përballet demokracia.

Nuk fsheh që jam krenar që ky samit u mbajt në Tiranë. Është historik për faktin që për herë të parë një samit i BE realizohet në një nga kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Është 19 vjet pas samitit të Selanikut, i cili ishte samiti  i parë i BE që vuri theksin te perspektiva reale e vendeve të Ballkanit Perëndimor për tu bërë anëtare të BE. Doja të shfaqja entuziazmin tim për faktin që ne tashmë kemi një afat, 2030-ta do jetë afati më i gjatë për të pasur Ballkanin Perëndimor brenda BE dhe kjo është diçka e mirë.

Sërish duke iu kthyer samitit, 5 ditë para samitit një mik shumë i mirë, Frank-Ëalter Steinmeier vizitoi parlamentin në Tiranë dhe në fjalën e tij tha se kush në Evropë ka nevojë për një infeksion le të themi pozitiv për shpirt europian duhet të vijë në Tiranë.

Ne jemi në vitin kur Tirana ka qenë kryeqyteti evropian i rinisë. Tani ka entuziazëm për shpirtin europian. Këtë duhet ta mbajmë gjallë duke pasur parasysh sfidat që mban demokracia. Duhet të përballemi me sfidat dhe ta fitojmë këtë betejë”, tha Balla, ndërsa u ndal më tej te lufta ruse në Ukrainë.

Balla deklaroi se Rusia ka qenë e përfshirë në financimin e disa partive politike në disa vende, ndërsa shënjestroi edhe PD se ka figuruar në regjistrin e pagave të Putin.

Europa është para një momenti shumë të vështirë që pas përfundimit të luftës së dytë botërore, për sigurinë, vlerat tona që janë vënë në rrezik. Putin nuk ka sulmuar vetëm Ukrainën, ai që mendon kështu nuk është shumë i qartë. Purtin ka sulmuar vlerat tona, demokracinë tonë dhe ne duhet të kuptojmë se nuk është vetëm populli ukrainas që lufton për liritë e tyre, por të gjithë ne evropianët duhet të solidarizohemi me Ukrainën pasi vlerat tona janë në rrezik.

Rusia ka qenë e përfshirë në financimin e partive politike në vendet e tjera, 300 milionë USD janë përdorur për financimin e partive politike në disa vende të botës. Pse ndodh që asnjë nga familja jonë politike nuk është sponsorizuar nga Putin? Ata që janë kundër nesh janë në regjistrin e pagave të Putin. Ne socialistët dhe demokratet ndershmërisht nuk jam i kënaqur që siç e bëjmë ne edhe kolegët tanë nga partitë europiane popullore duhet të jenë të qartë se ndoshta disa nga partitë simotra të tyre mund te kenë qenë pjesë e regjistrit të pagave të Putin”, theksoi Balla teksa dha dhe një mesazh drejtuar Parlamentit Europian.

Sipas Ballës, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin disa vende në PE në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet drejtpërdrejtë. Duke u ndalur te Ballkani i Hapur, Balla u shpreh se është zbatimi në terren i Procesit të Berlinit.

“Një nga sfidat që ka demokracia jonë në Europë lidhet me dezinformimin. Ne më shumë luftojmë për të qartësuar programet tona. Së treti doja të flisja për procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur. Ballkani i Hapur është zbatimi në terren i Procesit të Berlinit. Ky i fundit ka qenë ide e mirë por zbatimi i tij nuk ka qenë siç duhet në të shkuarën. Ndërsa Ballkani i Hapur është implementimi në realitet duke respektuar parimet e BE për lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitaleve. Ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës që të 6-vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e tyre. 2030 nuk është shumë afër, por as shumë larg dhe PE duhet të jetë i pari që të hedh hap më tej, se si përfaqësues nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të mund të marrin disa vende në PE që zëri i tyre të dëgjohet drejtpërdrejtë. Ne e dimë që PE është fryma e vërtetë e demokracisë brenda BE dhe duke thënë këtë në Tiranë z.Rama kërkoi 1 program evropian të ripërtëritjes i cili duhet të hartohet. Në fazat e para do të kemi të bëjmë me rindërtimin e Ukrainës dhe ripërtëritjen për të gjithë Evropën përfshi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Balla.

/rtsh.al/