RTSH 24 Live

Letërsi

“Saga përtej Atlantikut”, një libër që reflekton mbi çështjet që përballet shoqëria shqiptare

29/09/2021

“Saga përtej Atlantikut”, një libër që reflekton mbi çështjet që përballet shoqëria shqiptare

Një nga zërat më të njohur të Radio Tiranës në mesin e viteve '90, gazetari dhe publicisti i problemeve bujqësore, Shefqet Meko, është shfaqur sërish për lexuesin shqiptar, tashmë me romanin e tij “Saga përtej Atlantikut”.

Në ceremoninë e organizuar për  promovimin e librit të tij në Tiranë, merrnin pjesë personalitete të botës akademike e diplomatike Prof. Hulusi Hako, Besnik Mustafai, Arben Çejku, Ahmet Prençi, gazetarë dhe dashamirës të librit. 

Meko i cili prej afro dy dekadash e gjysëm jeton në SHBA tha se " për ne të ikurit, Shqipëria ka mbetur po ajo në shpirt”. “Të jem i sinqertë, vijoi ai, unë nuk i përkas atyre njerzeve që kanë ëndërruar Amerikën, duke qënë në Shqipëri. Unë i përkas asaj pjese, ku dhuna dhe sistemi thonin "dëgjo çfarë them unë”. Megjithatë falë atij vrulli që ndodhin në fund vitit ‘90 u ndryshuam të gjithë". "Unë e kam dashur Shqipërinë aq sa e doni dhe ju. Unë kam qënë dy herë në USA dhe jam kthyer me dëshirë, se do të bëhet Shqipëria dhe unë prap besoj se Shqipëria do të bëhet sepse ka njerëz të mire” tha gazetari dhe publicisti Shefqet Meko.

“Saga përtej Atlantikut” trajton një raport të brendshëm të kohës dhe vendeve. Ai skanon situata që lidhen me historinë, psikologjinë dhe individin në një shoqëri të kufizuar politikisht, kulturalisht dhe psikologjikisht siç ishte komunizmi. Nga ana tjetër na paraqet në mënyrë të detajuar mjedisin e një shoqërie të vendit të lirë, në Amerikën e përtej Atlantikut ku autori jeton prej vitesh. Diversiteti i dy kohëve dhe metamorfoza që ndodh me personazhin që i jeton dy kohët dhe dy vendet është në themel të këtij romani mjaft të spikatur e të veçantë.

“Saga përtej Atlantikut” i Shefqet Mekos pason krijimet e mëparshme të tij “Unë ikanaku shqiptar” dhe ”I tillë jam”.