RTSH 24 Live

Televizion

“RTSH Shkollë”, Kontribut i jashtëzakonshëm nga mësuesit, shembull frymëzimi për të gjithë

19/05/2021

“RTSH Shkollë”, Kontribut i jashtëzakonshëm nga mësuesit, shembull frymëzimi për të gjithë
 

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot si të jashtëzakonshëm kontributin e mësuesve për zhvillimin e orëve të mësimit përmes kanalit televiziv të RTSH-Shkollë, teksa tha se shembulli i tyre ka qenë shembull frymëzimi për të gjithë.

Gjatë një aktiviteti vlerësues dhe falënderues për rreth 130 mësues që dhanë kontributin në projektin e kanalit të dedikuar “RTSH Shkollë”, Rama tha se në një kohë të vështirë për pandeminë, Ministria e Arsimit u kthye në një studio xhirimi për mësimet online që jepeshin përmes kanalit të RTSH.

“Është privilegj që sot mund t’u them një faleminderit të madhe të gjithëve, për kontributin e jashtëzakonshëm që gjithë ky grup ka dhënë në një moment kaq të jashtëzakonshëm. Dua t’u rrëfej që momentin kur sfida me armikun e padukshëm u shfaq e qartë përpara nesh kjo pjesë që lidhej me domosdoshmërinë për të mbyllur shkollat dhe me riskun e paimagjinueshëm të mos vazhdimit të mësimit ishte ndër më sfidueset. Ministria e Arsimit u kthye në një studio xhirimi të atyre që më pas u bënë mësimet online dhe pastaj edhe mësimet përmes kanalit të RTSH. Realisht është diçka fantastike që u bë e mundur falë jush, falë të gjithë mësueseve që morën përsipër këtë sfidë kaq të madhe dhe bën të mundur që pa orar, ditë natë me një ritëm marramendës të viheshin në dispozicion të nxënësve”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, ishte një punë që u shërbeu jo vetëm nxënëseve por edhe mësuesve që u përzgjodhën në bazë të performances në sistemin tonë.

“Në kohë krizash ka gjithmonë mundësi të reja dhe fiton kush krizën e kthen në një mundësi dhe pastaj mundësinë arrin ta shfrytëzojë për ta kapërcyer krizën duke avancuar më tutje. Sot kur ne jemi duke dalë nga tuneli i pandemisë kemi një aset të cilin nuk do ta kishim nëse kjo krizë nuk do na kishte imponuar këtë punë me kaq shumë ritëm dhe me kaq shumë efikasitet. Ky është një aset që na vlen edhe sot, por do na vlejë edhe nesër. Kjo është një eksperiencë që na ka mësuar gjëra që nuk do i kishim mësuar dot ndryshe. Marrëveshja për “RTSH Shkollë” është bërë për 48 orë”, u shpreh Rama.

Ne, vijoi ai, jemi përballur prej vitesh me fenomenin shqetësues të klasave kolektive, ashtu siç kemi pasur në planet tona digjitalizimin.

“U desh kriza që jo vetëm të krijonim një produkt të modeluar për kushtet e krizës por edhe të mësonim se zotëruam për një arsye tjetër edhe një instrument për të përballur sfidën e klasave kolektive duke arritur nëse do duam që t’jua çojmë shkollën fëmijëve në ato zona dhe në hapësirat ku vazhdon mësimi drejtpërdrejtë në shtëpitë e tyre. Mësimi online nuk mund ta zëvendësojë kurrë mësimin e drejtpërdrejtë. Mësimi online nuk e ka atë energji që krijohet mes mësuesit dhe nxënësve, por është një vlerë e shtuar”, tha Kryeministri.

Rama tha se sot ne kemi mësues të qetë, në kuptimin se janë të patrazuar nga politika për arsye bindjesh politike apo për ato arsye të tjera që e kanë penguar për një kohë të gjatë psikologjikisht dhe moralisht punën e mësuesit më parë.

Kryeministri e vlerësoi edhe si një arritje të madhe portalin për emërimin e mësuesve në shkolla, kur solli shembullin e një mësueseje e cila kishte 7 vite pa punë dhe doli e para në konkursin e portalit “Mësues për Shqipërinë”.

“Një nga mësueset që folëm këtu kishte 7 vjet pa punë, vinte nga një zonë tjetër. Doli e para në konkursin e parë të portalit “Mësues për Shqipërinë”. Ajo zonjë që këtu do i jepte mend gjithë dynjasë në kuptimin e mirë të fjalës, do të ishte pa punë sot nëse nuk do të ishte ky portal. Sot nuk i lëviz njeri nga vendi i punës për arsye të arbitraritetit që e mori peng sistemin në duart e politikës. Kjo nuk është pak, por sigurisht nuk mjafton. Nga ana tjetër është e rëndësishme që figurën e mësuesit të vazhdojmë ta forcojmë në të gjitha drejtimet dhe ai financiar është i pashmangshëm”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për emërimin e drejtorëve.

“Jam shumë krenar për mësuesit dhe mësueset, por jo për drejtorët, për faktin se është falë jush që reforma dhe gjithë proceset kanë pasur rezultat si rrjedhojë e kapacitetit tuaj për ta rritur cilësinë e mësimdhënies në kushte programimi, organizimi. Jam krenar që sot ne kemi në Shqipëri mësues të qetë, të qetë në raport me të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre, të patrazuar nga politikë, për arsye bindjesh”.

Sipas Ramës, objektiv është që gjuha angleze të jetë pjesë e lëndëve mësimore qysh në klasë të parë.

“Do të fusim anglishten qysh në klasën e parë, është e rëndësishme që të bëjmë të gjitha përpjekjet që anglishtja të bëhet gjuha e dytë, shqipja dhe anglishtja duhet të jenë dy gjuhë që fëmijët e Shqipërisë të mund ti përdorin më së miri për nevojat e tyre, edhe kjo është një sfidë. Është një nga ato risitë që i duhen Shqipërisë dhe fëmijëve”, u shpreh Rama.

Pagat e mësuesve do të rriten me 40 % gjatë mandatit të tretë

Kryeministri Edi Rama siguroi mësuesit se do ti qëndrojë premtimit të bërë në fushatën elektorale për rritjen e pagave me 40 % për mësuesit brenda mandatit të 3-të.

“Një nga arsyet që ju jam mirënjohës është se me këtë punë që keni bërë keni dhënë një shembull të jashtëzakonshëm qytetarie e përgjegjësie në raport me njerëzit, përtej punës, sepse kjo ka qenë një punë mbi punë dhe nuk e keni bërë këtë për shkak të një shpërblimi të veçantë, përveçse shpërblimit moral dhe asaj kënaqësie që ushqen vazhdimisht mësuesin si rezultat i aktit që është, siç thoshte Luigj Gurakuqi: përhapës i dijes”, tha Rama.

Por, siguroi Kryeministri, kjo nuk do të thotë se ne mund të harrojmë detyrimin që të mund të rrisim shpërblimin për punën tuaj.

“Nuk dua të përmend këtu sa kemi rritur pagat, por dua të them sot kur zgjedhjet kanë mbaruar se rritja e pagave për ju me 40 % është angazhim që do i qëndrojmë deri në fund brenda mandatit që nis në shtator”, u shpreh Rama.

Mbase përsëri nuk mjafton, vijoi ai, por sidoqoftë rritja me 40 % është e konsiderueshme e cila në mos e plotësoftë detyrimin tonë ndaj jush, dëshmon që vëmendja jonë dhe predispozita për të qenë pranë jush është e nivelit më të lartë.

Sot mësuesit në kushte shumë më të mira, sfidë shkollat si qendra komunitare

Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “një pjesë e mësuesve sot punojnë në kushte shumë më të mira, në shkolla që nuk kanë të krahasuar me shkollat që ishin më parë, por ka ende shkolla që kanë nevojë të rindërtohen që nuk i kanë kushtet që të jenë në të njëjtën lartësi me kontributin tuaj, në mënyrë që asnjë shkollë të mos mbetet pa u bërë pjesë e tërësisë të shkollave të transformuara”.

“Përfitoj nga ky rast të sjell në vëmendje një aspekt tjetër që është një sfidë e përbashkët e që ne mund ta fitojmë vetëm nëse mësuesit do të kenë të njëjtin angazhim që ka patur ky grup. Kjo sfidë ka të bëjë me ngritjen në një nivel tjetër të shkollave si qendra komunitare. Sot kemi 270 të tilla, por mundësia që të gjitha shkollat të kalojnë pavarësisht kushteve, diku më të mira e diku jo, në këtë barrikadë të re për ta shtyrë më tej rrugën e transformimit të arsimit. Dhe kur them shkollat – qendra komunitare, kam parasysh nevojën për të programuar në mënyrën më serioze e më shumë ambicie të gjitha aktivitetet e tyre. Sepse edhe shkolla më e mirë qendër komunitare nuk është modeli që mund t’u tregojë të tjerëve ja ku duhet arritur”, deklaroi Kryeministri.

Në këtë drejtim, tha Rama, ne duam të fuqizojmë një aspekt tjetër të shkollës që nuk ka të bëjë me kompjuterët, por me jetën reale, dhuntitë dhe shqisat dhe prekjen e realitetit me gjithë këtë mbështetje.

Sipas Ramës, sot kemi 120 klasa dixhitale, por vijoi ai, janë pak, duhet të kemi më shumë, t’u japim mundësinë të zhvillojnë talentet e tyre për artet, zejet e sportin.

“Në programin tonë kemi theks të rëndësishëm tek inovacioni dhe do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë këtij aspekti, për të rritur kapacitetin e shkollës për të asistuar fëmijët në rrugën e njohjes me botën e re të teknologjisë dhe dhënë atyre disa instrumente bazë që të dinë se si të lëvizin brenda kësaj bote”, tha Rama.

Por nga ana tjetër, vuri në dukje Rama, jemi shumë të varfër sa i takon asaj që u japim fëmijëve në aspektin e arteve e zejeve përtej orëve rutinë të mësimit.

“Do të ketë programe të dedikuara dhe do të mbështesim drejtpërdrejtë shkollat e ato komunitete mësuesish e nxënësish që të jenë në gjendje të përftojnë financimet edhe përtej financimeve direkte të qeverisë të mund të tërheqin edhe të tjerë“, u shpreh Rama.