RTSH 24 Live

Ekonomi

“Rrugë të bardha”/ Ndërmarrje e përbashkët bashki - FSHZH për ndërtimin e akseve fundore

11/05/2023

 “Rrugë të bardha”/ Ndërmarrje e përbashkët bashki - FSHZH për ndërtimin e akseve fundore

Qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit prezantuan sot programin "Rrugë të Bardha" që synon të përmirësojë aksesin në rrugët fundore rurale dhe bashkitë e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të fondeve të vogla. Ndërhyrja do të bëhet në ato rrugë ku aksesi është shumë i keq, ose edhe gati i pamundur. 

Ky projekt do të pilotohet fillimisht në disa bashki dhe është i ndarë në 4 faza. Si fillim parashikohet të bëhet inventarizimi që do të përcaktojë karakteristikat e rrugës, popullsia e asaj zone më pas do të përcaktohet kostoja e investimit.

Me këtë projekt parashikohet që brenda disa viteve të ndërhyhet në 5 mijë km rrugë rurale, tha drejtori i FSHZH-se, Dritan Agolli krah zëvendëskryeministres njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.    

Ndërmarje publike për rrugët 

Projekti parashikon ngritjen e një shoqërie të përbashkët midis FSHZH dhe bashkive të cilat do të prezantojnë projektet për këto akse rrugore dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do i mbështesë me mjete, por dhe financiarisht.

Programi do të përmirësojë aksesin në zonat rurale ku mungon aksesi për të kaluar mjetet e trafikut apo është shumë i keq. Më pas do të bëhet ndërhyrje për ndërtimin e strukturave të vogla që këto rrugë të kenë qëndrueshmëri.  Më pas do të mbështetet bashkia për të ngritur një operator të rrugëve ku qeveria si fillim ka vendosur financim për të blerë mjetet që do jenë kapital i parë një shoqërie të përbashkët midis FSHZH dhe bashkive. Komponenti i katërt ka të bëjë me ndërhyrje për mbështetje me materiale ndërtimi mbështetur në bazë projektit," tha administratori i FSHZH-së, Dritan Agolli.

Po çfarë parashikon mekanizmi që pritet të ngrejë qeveria

"Nuk do jenë ndërmarrje të mirëfillta publike por ndërmarrje që duhet të sillen në logjikën e privatit, bashkitë marrin përsipër një pjesë të ndërhyrjes dhe FSHZH mbështet pjesën tjetër. "Do të ketë gati 1/10 e kostos dhe nga ana tjetër përmirëson deri në 50% aksebilitetin në këto akse. Bashkitë do të lëvrojnë punë dhe për punën duhet të marrin të ardhurat me kosto publike. Eshtë bërë një vlerësim paraprak dhe janë mes 10 - 15 mijë kilometra rrugë rurale, që do të donte shekuj, ndoshta, të bëheshin ne standarde por në kuadër të programit operacional brenda 7 viteve të bëjmë minimalisht 5 mijë km rrugë rurale. Do të jenë ato që janë prioritare dhe kanë popullsi më shumë."  

 Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, tha se duke dhënë mundësi bashkive të vogla pa të ardhura të konsiderueshme për të ndërtuar rrjetin fundor rural i japin dhe hov ekonomik këtyre bashkive.

"Duke mbyllur këtë rrjet fundor, përmes programit "Rrugëve të bardha" këto bashki do të nisin të marrin një hov ekonimik qoftë bujqësor apo agroturizmit etj, duke bërë që bashkia të gjenerojë të ardhura dhe më pas të ndërhyjnë dhe vetë në të ardhmen" tha Balluku.

Projekti pritet që të prezantohet edhe tek bashkitë të cilat do të ngrenë dhe strukturën e tyre të bashkëpunimit me FSHZH.

"Në momentin që ngrihen ne duam ta delegojmë tek bashkitë dhe të dalim nga ky proces" tha Agolli.

Balluku shtoi se këtij projekti do i shtohet dhe bashkëpunimi me sektorin privat.

Duam të fusim një component të tretë që është bashkëpunimi me sektorin privat. Që dhe sektori privat të bëhet pjesë e projekteve duke e kthyer në trinom suksesi” tha Balluku

/ rtsh.al /