RTSH 24 Live

Ekonomi

"Rruga e Kombit", vazhdon puna për përmirësimin e saj

27/02/2021

"Rruga e Kombit", vazhdon puna për përmirësimin e saj

Fatura që qytetarët shqiptarë kanë paguar për rrugën Durrës-Kukës e njohur me emrin patriotik "Rruga e Kombit" përbën një rekord, jo vetëm për rajonin, por edhe në Europë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në total buxheti ka paguar 1.2 miliardë euro për ndërtimin e autostradës me gjatësi 170 kilometra. Ky është një nga rastet e rralla, kur një vend shpenzon 13 për qind të Prodhimit Kombëtar në një vepër të vetme publike. Por, kjo shifër nuk e tregon të plotë faturën që shqiptarët kanë paguar në emër të rrugës Durrës-Kukës e inicuar nga Qeveria Berisha
Nga ana e saj Qeveria Rama ka nënshkruar një kontratë koncensionare për mirëmbajtjen e rrugës dhe investon nga fondet e veta dhe nga fondet e koncensionarit për përfundimin e rrugës. Konsorciumi i kompanive “Kastrati” dhe “Salillari” mirëmbajnë vetëm segmentin nga Miloti në Morinë, ndërsa pjesa tjetër do të mirëmbahet me paratë e buxhetit që paguhen po nga qytetarët. 
Qeveria aktuale shqiptare i ka garantuar koncesionarit të paktën 7.9 milionë euro të ardhura në vit. Sipas zyrtarëve,  rruga ishte e papërfunduar dhe duheshin edhe 200 milionë euro për mbylljen totale të saj. Në segmentin e dytë dhe të tretë të "Rrugës së Kombit" mungonin urat dhe masat mbrojtjëse, të cilat tashmë janë në përfundim. Mirëmbajtja e kësaj vepre të rëndësishme strategjike është dhënë për një afat 30-vjeçar, me objektiv përmirësim i autostradës, funksionim dhe mirëmbajtja efektive e saj.